Showbiz

Camila Cabello e sjellë një version krejt ndryshe të Hirushes në filmin e ri “Cinderella”

Në trailerin e parë të lansuar për filmin “Cinderella”, që është ripërpunimi i fundit i përrallës klasike për ekran të madh, version i princeshës së portretizuar nga këngëtarja dhe aktorjaama, Camila Cabello, nuk është në kërkim të princit sharmant siç njihet nga tregimi i famshëm.

Në fakt, kjo grua e re ëndërron ta ndërtojë perandorinë e saj të modës, në një kohë kur gratë supozohet të mendojnë vetëm për martesë.

Filmi i ardhshëm dhe i shumëpritur nga dashamirët e tregimeve të këtilla klasike, e sjellë një version të modernizuar të historisë së vajzës jetime e cila detyrohet të jetojë me njerkën dhe dy vajzat e saj shpirtliga.

Por në këtë version filmik, protagonistja ambicioze e quajtur Ella, nuk portretizohet si një grua që ka nevojë për ndihmën e një burri për ta shpëtuar atë. Ajo, më shumë se asgjë dëshiron të bëhet rrobaqepëse dhe një ditë të lansojë linjën e saj të veshjeve. Kur njerka e saj e pamëshirshme ia ndalon të shkojë në ballo, duke ia ulur shanset për t’i promovuar modelet e fustaneve që i ka krijuar, Cinderella vizitohet nga zana magjike, që në këtë rast portretizohet nga ylli i shout “Pose”, Billy Porter. Ella natyrisht mbërrin të shkojë në ballon, ku e rrëmben vëmendjen e princit beqar por edhe disa klientëve potencial.

Filmi “Cinderella” vjen me skenar dhe regji të Kay Cannon, dhe krahas Camila Cabellos në të luajnë edhe yjet: Idina Menzel, Minnie Driver, James Corden dhe Pierce Brosnan.

Kompania “Sony” e ka prodhuar projektin dhe fillimisht kishte planifikuar ta lansojë atë nëpër kinema. Sidoqoftë, studioja filmike vendosi ta anashkalojë këtë formë të lansimit, për shkak se industria e filmit po vazhdon të përballet me vështirësi shkaku i pandemisë, dhe kështu vendosi ta publikojë atë në platformën digjitale “Amazon Prime”.

“Cinderella” fillon së shfaquri për publikun e gjerë nga 3 shtatori i këtij viti.