Showbiz

Daniel Radcliffe thotë se njerëzit çuditen si nuk është ngatërruar nga fama

Foto: AP

Aktori britanik, Daniel Radcliffe, thotë se njerëzit gjithmonë mbesin të befasuar që ai nuk është ndikuar nga fama të cilën e ka fituar qysh në fëmijëri.

Ylli 32-vjeçar i cili u bë emër i njohur anembanë botës me ta siguruar rolin protagonist në filmat “Harry Potter”, thotë se njerëzit që e kanë takuar si të rritur kanë gjithmonë pritshmëri të vogla nga ai, dhe presin të jetë ndikuar në mënyrë negative nga fama në hollywood.

“Qysh në moshë të re isha i vetëdijshëm që njerëzit kishin fare pak pritshmëri nga unë, dhe më gjykonin gabimisht ende pa më takuar. Dhe kjo gjë nuk më bezdis shumë sepse shpresoj që gjithmonë kam arritur t’i befasojë për të mirë. Një herë isha duke darkuar me drejtorin e forografisë së një filmi në të cilin doja të angazhohesha. Unë në mënyrë të thjeshtë dhe me pak humor, ia tregova atij një ngjarje që më kishte ndodhur dhe kur e përfundova rrëfimin, ai më shikoi i befasuar dhe më tha: ‘Si është e mundur që nuk je ndikuar negativisht nga fama?’ Këtë reagim e marr shumë shpesh dhe asnjëherë nuk di si t’iu përgjigjem njerëzve”.

Aktori i njohur meritat për këtë gjë ua jep prindërve, Alan Radcliffe dhe Marcia Gresha, të cilët, sipas tij, e kanë mbajtur me këmbë në tokë dhe janë siguruar që ai gjithmonë të ishte rehat me rolet e tij si fëmijë, dhe nuk e kanë shtyrë të bëjë gjëra që ai nuk ka dashur.

“Unë kam prindër që më kanë përkrahur shumë por gjithashtu janë siguruar të më pyesin vazhdimisht, nëse ende po argëtohesha duke punuar në filma. Ata më thoshin vazhdimisht se nuk jam i detyruar të vazhdoj të aktroj, nëse nuk dua. Por në fakt unë ju thosha se kjo është ajo çka dua të bëjë sepse e urreja shkollëm. Gjithmonë kam qenë i vetëdijshëm me stereotipin e aktorëve fëmijë, dhe prindërit e mi nuk dëshironin të ishin imponues apo të më shtynin të bëja diçka pa dëshirën time”, ka deklaruar Radcliffe për gazetën “The Sunday Mirror”.

Ndërkohë, aktori e ka përjashtuar veten nga festimet që do të organizohen me rastin e 20-vjetorit të lansimit të filmit të parë, “Harry Potter and the Philosopher’s Stone”. Së fundmi filluan të qarkullojnë fjalët se aktorët e filmave të famshëm, Emma Watson, Rupert Grint dhe Tom Felton, do të ribashkohen për ta shënuar këtë përvjetor më 4 nëntor të këtij viti, por Radcliffe tha se ai do të jetë i zënë deri në fund të vitit me disa projekte personale.