Showbiz

Billie Eilisht së shpejti e lanson një projekt special të realizuar me BBC-në

Descriptive Text

Ylli i muzikës, Billie Eilish i ka bërë publike detajet rreth emisionit të ardhshëm special për kanalin “BBC”, me titull “Billie Eilish: Up Close”.

Para disa javësh u zbulua se ylli i hitit “Bad Guy”, ishte duke punuar në një projekt special për fansat e saj, në bashkëpunim me platformën mediale gjigante.

Dhe tani është konfirmuar lajmi se emisioni në fjalë do të transmetohet të shtunën më 31 korrik në kanalin “BBC One”, derisa DJ Clara Amfo nga “BBC Radio 1” do ta intervistojë pop yllin 19-vjeçar për rrugëtimin e saj drejt famës, dhe faktin se anembanë botës konsiderohet një person model.

Program 45-minuta do të transmetohet një ditë pas lansimit të albumit dytë të shumëpritur të këngëtares së shpërblyer me “Grammy”, me titull “Happier Than Ever”.

“Në emisionin special të xhiruar në vendlindjen e Billie Eilishit, Los Angeles, DJ Clara Amfo nga ‘BBC Radio 1’ do të bisedojë me këngëtaren rreth albumit të saj të fundit, ‘Happier Than Ever’, rrugëtimit të jashtëzakonshëm drejt famës, do ta kthejë atë prapa në kohë për t’i kujtuar disa prej sukseseve më të njohura, do të diskutohet për efektet që këto suksese të karrierës i kanë pasur në jetën e saj si dhe rolin e artistes si inspirim për të rinjtë anembanë botës”, thuhej në një komunikatë për media.

Në të kaluarën, yje të njohur të tillë si Adele, Ariana Grande dhe Harry Styles, kanë arritur marrëveshje për realizimin e një emisioni të tillë special me kanalin “BBC”.

Ndërkohë, Billie sapo ka njoftuar se është duke e shfaqur përvojën e saj kinematografike, ekskluzivisht në platformën “Disney+”.

Filmi koncertal me titull “Happier than Ever: A Love Letter to Los Angeles”, do të transmetohet në këtë platformë digjitale më 3 shtator të këtij viti.

Projekti që i sjellë përjetimet e një koncerti special të këngëtares, do të përfshijë performanca intime të secilës këngë të albumit të ardhshëm të Eilishit, për herë të parë dhe të vetme, nga skena legjendare “Hollywood Bowl” në Los Angeles.

Në një prononcim për media, pop këngëtarja kishte deklaruar: “Kompania ‘Disney’ është jashtëzakonisht ikonike, prandaj të bashkëpunoj me ta në një projekt të këtillë, është një nderë i madh për mua. Ta kem rastin ta prezantoj albumin tim të dytë në këtë mënyrë dhe t’ia dedikoj atë qytetit që e dashuroj dhe ku jam rritur, është diçka shumë emocionuese për mua. Shpresoj do t’iu pëlqejë ky projekt”.

Filmi koncertal “Happier than Ever: A Love Letter to Los Angeles” vjen me regji të dyshes, Robert Rodriguez dhe Patrick Osborne, si dhe do të përfshijë elemente të animuara, duke i dërguar shikuesir në një rrugëtim si nëpër ëndrra përmes vendlindjes së Eilishit, Los Angeles, dhe disa nga sfondet më ikonike të këtij qyteti.