Showbiz

Albumi i ri i Kanye Westit, “Donda” lansohet të premten

Foto: AP/Associated Press

Këtë të premte, Kanye West do ta publikojë albumin e tij të ri “Donda”, me ç’rast njërën prej këngëve të këtij projekti tashmë e ka promovuar përmes reklamës “Beats by Dre”, protagonist e së cilës është atletja amerikane, Sha’Carri Richardson.

Kënga me titull “No Child Left Behind” është pjesë e albumit të ri të West-it, “Donda”, i cili sipas një deklarate për media, do të lansohet përmes shtëpive diskografike “G.O.O.D. Music” dhe “Def Jam Recordings”.

Të enjten mbrëma, platforma muzikore “Apple Music” do ta transmetojë live ngjarjen e cila ua mundëson fansave ta dëgjojnë albumin, para se të dalë në treg.

Në mëngjesin e së mërkurës, të gjitha postimet e reperit u larguan nga faqja e tij në Instagramit, përveç një postimi me ç’rast Westi shfaqet me qafore prej ari me emrat e tre fëmijëve të tij, North, Saint dhe Chicago.

Premiera e albumit “Donda”, që është emri i nënës së ndjerë të reperit, do të zërë vend në stadiumin “Mercedes Benz” në Atlanta dhe më pas do të transmetohet live përmes platformës “Apple Music”. Ngjarja është konfirmuar edhe nga reperi amerikan, Pusha T, përmes një postimi në Instagram.

Mediat kanë raportuar se 5 mijë bileta për këtë ngjarje janë dhuruar nga Kanye, për kolegjet e afrikano-amerikanëve në Atlanta.

Derisa ende nuk është zbuluar lista e plotë e këngëve të përfshira në albumin e ri, disa video të shkurtra të shpërndara online e shfaqin reperin dhe kantautorin, Tyler, The Creator, në studio bashkë me Kanye Westin, duke lënë të nënkuptohet se ai do të jetë i përfshirë në këtë projekt.

Në qershor të vitit të kaluar, Kanye e lansoi këngën “Wash Us In The Blood” pjesë e së cilës ishte edhe reperi i njohur, Travis Scott. Ky projekt ua dha fansave pamjet e para të albumit të ri, i cili atëkohë titullohej “God’s Country”.

Së fundmi, Kanye ka qenë në fokus të mediave botërore për shkurorëzimin nga bashkëshortja, Kim Kardashian dhe lidhjen e tij të re me supermodelen, Irina Shayk.