Jessie J i është nënshtruar testimeve mjekësore për 24 orë, për ta përcaktuar shkakun e një sëmundje misterioze.
Ylli 33-vjeçar i muzikës pop i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për ta postuar një foto të saj ku shihet me tub në hundë, teksa iu nënshtrua disa testeve mjekësore.
Fotografinë këngëtarja e shoqëroi me mbishkrimin: “Ta shohim nëse ky test më jep përgjigjet e duhura”.
Ylli i hitit “Bang Bang” po ashtu e ka postuar videon ku shihen mjekët duke ia vënë një tub i cili shkon nga hunda deri në stomakun e këngëtares. E gjithë procedura duket e sikletshme. Kjo nuk është hera e parë që Jessie i ka ndarë momentet e vështira nëpër të cilat po kalon, me ndjekësit e saj në rrjetet sociale.
Këngëtarja e famshme britanike së fundmi u diagnostikua me sëmundjen Meniere, një çrregullim në vesh i cili mund të shkaktojë marramendje të rastësishme. Por problemet shëndetësore nuk mbarojnë këtu për Jessien, pasi ajo po ka vështirësi edhe në të kënduar, si pasojë e dhimbjeve të mëdha.
Jessie gjithashtu rrëfeu se mjekët i kanë zbuluar gunga të dhimbshme në akordet vokale, çka po i shkakton probleme dhe siklet për të kënduar.
Para disa ditësh ajo e postoi në Instagram një video ku shfaqet duke tentuar ta këndojë këngën e saj të re, “I Want Love”, tekstin e së cilës e ka shkruar vet: “Një terapiste e të folur më kërkoi t’ia dërgoja një video timen duke kënduar lehtë, në mënyrë që të mund të ma dëgjonte zërin. Kënga e parë që e këndova ishte ‘I Want Love’. Thjesht duke e dëgjuar veten duke kënduar dhe duke u ndier kaq e cenueshme ndërsa këndoj, po më bënë të qajë me lot. Nga dita kur e kam incizuar këtë këngë e deri më sot, nuk kam qenë në gjendje ta këndojë atë për shkak të dhimbjes që po e përjetoj. Kohëve të fundit ka qenë shumë e vështirë për mua të interpretoj, derisa këndimi është jeta dhe lumturia ime. Të qenit e qetë nuk është në natyrën time. Zoti e di sa e zhurmshme jam në jetën e përgjithshme. Dhe pikërisht në këtë moment e kuptova se kisha nevojë të jem e sinqertë me veten dhe me të gjithë ju, dhe t’iu tregoj se çfarë po ndodhë me mua. Të jem plotësisht reale, mbështetja dhe dashuria juaj më ndihmon ta tejkalojë këtë sfidë më lehtë dhe më shpejtë, jam e sigurt për këtë. Unë gjithmonë jam treguar e sinqertë me ju, pavarësisht sa e vështirë ka qenë për mua. Mendoj se veçanërisht në një platformë sikur kjo, ne duhet të jemi sa më real me njëri-tjetrin”, ka deklaruar Jessie J.
“I Want Love” është kënga e fundit e këngëtares e lansuar me videoklip dhe i numëron më shumë se 1 milionë klikime në platformën YouTube.