Showbiz

“The Ice Road” filmi i ri aksion i aktorit Liam Neeson

Descriptive Text

Derisa Liam Neeson është bërë i njohur përgjatë vjetëve për rolet në filma aksion, kjo periudhë e karrierës së tij po afron drejt fundit pasi në janar të këtij viti, aktori deklaroi se po planifikon të pensionohet nga ky zhanër i filmave.

Sidoqoftë, 68-vjeçari Neeson ende nuk i ka dhënë fund portretizimit të personazheve të cilët gjenden gjithmonë para situatave të rrezikshme. Vitin e kaluar, aktori i njohur irlandez e xhiroi filmin “The Ice Road” dhe ky projekt është blerë nga platforma Netflix, për një shumë prej 18 milionë dollarësh.

Në filmin ngjarja e së cilit zë vend në veri të Kanadasë, ai luan krahas aktorit Laurence Fishburne. Personazhi i tij Mike është një shofer i cili e udhëheq një mision të rrezikshëm mbi një oqean të ngrirë, për t’i shpëtuar disa minatorë të bllokuar në një minierë diamanti të shembur. Fishburne e luan rolin e Goldenrodit, pronari i kompanisë së kamionëve që e punëson personazhin e Neesonit dhe e shoqëron atë në këtë udhëtim.

Në film po ashtu luajnë aktorët Ray McKinnon, Marcus Thomas, Benjamin Walker dhe Amber Midthunder, derisa regjinë dhe skenarin e tij e ka bërë regjisori i filmit “The Punisher”, Jonathan Hensleigh.

“The Ice Road” lansohet për publikun më 25 qershor 2021.