Showbiz

Anne Hathaway angazhohet me rol në filmin romantik “The Idea of You”

Foto: AP/Associated Press

Ylli i kinematografisë, Anne Hathaway, është angazhuar me rol në filmin e ardhshëm “The Idea of You”.

Romani i njohur romantik i autores Robinne Lee, po shndërrohet në film nga “Amazon Studios” dhe “Welle Entertainment”, dhe ylli i shpërblyer me “Oscar” i është bashkuar kastës së aktorëve të tij.

38-vjeçarja Hathaway do ta portretizojë rolin e Sophies, një nënë e shkurorëzuar e cila mundohet të adaptohet me realitetin e ri pasi braktiset nga bashkëshorti. Por, jeta e Sophies transformohet kur ajo e dërgon vajzën e saj 15-vjeçare në festivalin “Coachella”, ku takohet me një 24-vjeçar i cili është vokalisti i bendit më të popullarizuar në botë. Shumë shpejtë ata e kuptojnë se e kanë një kimi të dukshme mes vete, dhe kështu e nisin një romancë jo të zakonshme.

Skenarin e filmit po e shkruan Jennifer Westfeldt, derisa Cathy Schulman dhe Gabrielle Union shërbejnë në rolin e producenteve të filmit.

Anne Hathaway shquhet si një prej aktoreve më të paguara në industrinë e filmit, dhe në të kaluarën ajo e kishte pranuar se ende befasohet nga suksesi i saj. Por, thotë se vazhdon të jetë e entuziazmuar për punën e saj, dhe ndihet modeste sa herë që bëhet pjesë e ndonjë projekti filmik.