Showbiz

Anya Taylor-Joy e lumtur që do të bashkëpunojë me regjisorin George Miller

Aktorja Anya Taylor-Joy i ka përditësuar fansat rreth realizimit të filmit të saj të ri, “Furiosa”, i cili kthehet prapa në historinë e filmave të njohur hollywoodian, “Mad Max”.

Duke folur për revistën “Variety”, aktorja e re por shumë e suksesshme foli për projektin e ardhshëm.

“Pikë së pari, ajo çka e bënë më emocionuese dhe interesante filmin ‘Furiosa’, është regjisori George Miller. Truri i tij është i jashtëzakonshëm. Ndihem aq me fat dhe e privilegjuar që e kam rastin të kalojë kohë me të, dhe të rritem si aktore përkrahë tij”, ka deklaruar Anya.

Ky rol ia mundëson aktores t’i thellojë rrënjët në filmat e zhanrit aksion.

“Po ashtu jam vërtetë e emocionuar që do të realizojë skena të cilat kërkojnë angazhime serioze fizike. Rolet të cilat sjellin ndryshime drastike fizike janë diçka që çuditërisht më japin kënaqësi dhe paqe të brendshme. Puna e rëndë në projekte filmike më lumturon jashtë mase”, përfundoi aktorja

Kohë më parë, regjisori i filmave “Mad Max”, George Miller, bëri të ditur se vazhdim i ri i këtij projekti i cili kthehet prapa në histori, do të fokusohet në personazhin e aktores Charlize Theron, Furiosa, e cila tani vjen e portretizuar nga Taylor-Joy. Theron për herë të parë e portretizoi Furiosan në filmin e vitit 2015, “Mad Max: Fury Road”, që u mirëprit nga publiku mbarëbotëror, si dhe konsiderohet një prej filmave më të mirë aksion të të gjitha kohërave.

Krahas yllit 24-vjeçar, Anya Taylor-Joy, ekipit të filmit i janë bashkuar edhe aktorët, Chris Hemsworth dhe Yahya Abdul-Mateen. Kurse, filmi pritet të lansohet më 23 qershor të vitit 2023.

Projekti i radhës në të cilin luan aktorja është trileri, “Last Night In Soho”.

“Filmi e ka një koreografi për të cilën regjisori i tij shquhet, por mendoj se njerëzit do të befasohen dhe do të impresionohen me atë që ai ka bërë në këtë projekt”, citohet të ketë thënë Taylor-Joy.

Edgar Wright e ka bërë regjinë e filmit të zhanrit horror dhe triler, i cili e rrëfen historinë e një vajze të re, Eloise, që është e pasionuar pas modës dhe e cila në mënyrë misterioze e ka aftësinë për të udhëtuar në kohë në vitet ’60, ku edhe e takon idhullin e saj, një këngëtare mahnitëse të njohur me emrin Sandy. Por, Londra në këtë periudhë kohore nuk është siç Eloise e kishte imagjinuar.

“Last Night in Soho” do të lansohet nëpër kinema në muajin tetor, dhe në të rolet protagoniste i sjell aktorët, Thomasin McKenzie, Anya Taylor-Joy, Matt Smith, Terence Stamp, Diana Rigg, Rita Tushingham, Michael Ajao dhe Synnøve Karlsen.