Showbiz

A$AP Rocky ndihet i bekuar që e ka mbështetjen e Rihannas

Foto: AP/Associated Press

Reperi i njohur amerikan, A$AP Rocky, ka deklaruar se ndihet me fat dhe i bekuar që e ka përkrahjen e plotë të të dashurës së tij, Rihanna.

Ylli 32-vjeçar i repit, emri i vërtetë i së cilit është Rakim Mayers, e pranoi se është një ndjenjë e mahnitshme ta ketë të dashurën përkrahë, sepse për të është shumë me rëndësi të jetë i rrethuar nga njerëz që ia duan më të mirën.

I pyetur se çfarë rëndësie ka për të përkrahja e Rihannas në realizimin e dokumentarit të ri, “Stockholm Syndrome”, pjesë e së cilit është edhe këngëtarja e famshme, reperi tha: “Është shumë me rëndësi të kesh këtë lloj mbështetje në jetën reale, më kuptoni çfarë dua të them? Është mahnitëse dhe me të vërtetë ndihem i bekuar që e kam Rihannan në jetën time. E them me të vërtetë këtë”.

Filmi dokumentar i cili përfshinë personalitetet të showbizit, si Naomi Campbell, Tyler the Creator dhe Kim Kardashian West, e dokumenton rrugëtimin e A$AP Rockyt drejt famës, përfshirë këtu ngjarjen e famshme të korrikut të vitit 2019, që është burgimi i reperit në Suedi. Ylli i hitit “Excuse Me” insiston se nuk ka dashur ta shfrytëzojë këtë ngjarje për t’u viktimizuar dhe për ta fituar keqardhjen e publikut.

“Unë mendoj se bërja e një dokumentari ka të bëjë të qenit i sinqertë dhe t’i tregosh dobësitë tua. Dokumentari im i referohet sinqeritetit, vërtetësisë dhe pastërtisë së shpirtit. Thjesht doja ta tregoja historinë time pa u ankuar ose pa u shfaqur si viktimë, sepse në fakt nuk doja ta shfrytëzoja historinë e jetës sime për ta fituar keqardhjen e publikut. Prandaj, ja ku e keni të vërtetën time”, ka deklaruar reperi.

Dhe tani, Rocky është fokusuar në ndërtimin e të ardhmes me Rihannan përkrahë tij.

“Ajo çka më pret në të ardhmen janë të njëjtat gjëra që po i bëja para se të shkoja në burg. Unë dhe zonja ime më e bukur në botë, po bëjmë bujë në industrinë e showbizit dhe po bëjmë histori me kreativitetin tonë”.

A$AP Rocky, së fundmi e pranoi se ylli i hitit “Diamonds”, Rihanna, është gruaja e duhur për të dhe jeta e tij është më e mirë falë saj.