Showbiz

Armie Hammer është regjistruar në një qendër rehabilituese

Foto: AP/Associated Press

Aktori kontrovers, Armie Hammer, besohet se është regjistruar në një qendër rehabilituese.

Yll i filmit “Call Me By Your Name” po kërkon ndihmë për trajtimin e varësisë nga droga, alkooli dhe seksi, në një qendër rehabilituese në Orlando të Floridas. Kështu ka raportuar revista “Vanity Fair”.

“Hammer ka shkuar në rehabilitim të hënën më 31 maj, me mbështetjen e ish-gruas Elizabeth Chambers dhe familjes së tij. Ai ka një javë që është duke u trajtuar për problemet e tij dhe është shumë i vendosur dhe i përkushtuar të shërohet dhe ta kthej kujdestarinë e fëmijëve. Kjo është shenjë e qartë se ai po e merr nën kontroll jetën e tij dhe është i vetëdijshëm që ky është një hap i mirë drejt shërimit dhe mirëqenies së përgjithshme”, ka deklaruar një mik i familjes së aktorit.

Ylli i njohur hollywoodian aktualisht po përballet me akuza për përdhunim, të cilat i ka mohuar.

Akuzat kundër tij filluan të dalin në fillim të këtij viti, por avokati i aktorit i përshkroi ato si të pavërteta.

Edhe policia e Los Angelesit e ka konfirmuar lajmin se Hammer është duke u hetuar, nën akuzat për sulm seksual.

Si pasojë e këtyre problemeve me ligjin, Hammer është pushuar nga disa projekte të profilit të lartë, përfshirë këtu trilerin e Luftës së Ftohtë, “Billion Dollar Spy”, serialin e studios “Paramount” me titull “The Offer”, dhe shfaqjen e Broadwayt, “The Minutes”. Hammer po ashtu ka hequr dorë nga roli protagonist krahas yllit Jennifer Lopez, në filmin e ardhshëm “Shotgun Wedding”.

Disa gra filluan t’i postojnë fotografitë e mesazheve që Hammer ua kishte dërguar, ku i shprehte fantazitë për kanibalizëm, përdhunim dhe kidnapim, dhe deklaronte se i kishte manipuluar ato.

Atëkohë, Hammer i përshkroi këto akuza si gjepura.