Showbiz

“Eurovisioni” rikthehet pavarësisht pandemisë

Delegacionet kombëtare që po udhëtojnë për në qytetin holandez të Rotterdamit duhet t’u përmbahen masave strikte kundër pandemisë, kurse me mijëra adhurues janë lejuar të marrin pjesë në ushtrime. Dy gjysmëfinalet dhe finalja duhet të kalojnë nëpër procesin e testimit, për t’u siguruar se nuk do të bartet virusi

Gara evropiane e këngës “Eurovision Song Contest”, që ishte anuluar vitin e kaluar për shkak të pandemisë COVID-19, po rikthehet këtë vit me muzikë dhe melodrama.

Delegacionet kombëtare që po udhëtojnë për në qytetin holandez të Rotterdamit duhet që t’u përmbahen masave strikte kundër pandemisë, kurse me mijëra adhuruesve tanimë u është lejuar pjesëmarrja në ushtrime. Ata që marrin pjesë si spektatorë në dy gjysmëfinalet dhe natën e finales së madhe do të duhet që të kalojnë nëpër procesin e testimit, për t’u siguruar se nuk do të ketë përhapje të virusit.

Producenti ekzekutiv, Sietse Bakker, është i lumtur se ngjarja është duke ndodhur.

“Organizimi i ‘Eurovision Song Contest’ është gjithmonë sfidues për shkak se kemi më pak se një vit për ta organizuar një ndër ngjarjet më të mëdha dhe më të komplikuara në Evropë, madje në një kohë pandemie është edhe më e vështirë”, ka thënë ai për “The Associated Press”.

Pavarësisht masave kundër pandemisë, gara ka për qëllim që ta bashkojë Evropën me këngë, traditë kjo tashmë 65-vjeçare.

Fansat afër zonës Ahoy mund t’i bashkohen ngjarjes më herët. Semaforët në vendkalimin për këmbësorë jashtë vendngjarjes janë transformuar në një figurë të gjelbër, që kërcen me këngën ikonike fituese të grupit Abba, në vitin 1974, “Waterloo”, kur është sigurt për të kaluar.

Ngjarja jashtëzakonisht e famshme paraqet këngë me tekste që inkurajojnë përfshirjen dhe pozitivitetin, duke shmangur mesazhet politike.

Bjellorusia është përjashtuar qysh para fillimit të garës, për shkak se organizatorët e Bashkimit Evropian të Transmetimeve e kanë cilësuar këngën përfaqësuese të vendit si “pjesë që e vë në diskutim natyrën jopolitike të ‘Eurovisionit’”. Edhe kënga zëvendësuese është refuzuar gjithashtu.

Tema për garën e këtij viti është “Open up” (“Flisni”). Në fakt, ishte zgjedhur para se pandemia ta pushtonte tërë botën, por tani është goxha e përshtatshme ngase Evropa ka filluar që të provojë të dalë nga pandemia e koronavirusit.

“Vendosëm që ta mbajmë temën për shkak se, sidomos në këtë kohë, është e rëndësishme që të flasim me njëri-tjetrin dhe ta ndiejmë pozitivitetin kur flasim me njëri-tjetrin, t’i shprehim ndjenjat tona dhe mendimet e vërteta”, ka thënë Bakker.

Fituesi holandez i vitit 2019, Duncan Laurence, ka thënë në uebfaqen e ngjarjes se e sheh muzikën si mënyrë për t’i mjegulluar hallkat.

“Për këtë arsye kemi nevojë për ‘Eurovision Song Contest’. Që të lidhemi prapë me njëri-tjetrin”, ka specifikuar ai.

Me mijëra fansa kanë mundësi që të kenë kontakte fizike.

Secili organizim do të jetë i hapur për 3.500 njerëz – vetëm 20 për qind e kapacitetit të zonës – që duhet ta kenë si dëshmi testin negativ për koronavirus dhe atë të kryer jo më shumë se 24 orë më parë.

Dhjetëshes fituese nga akëcila gjysmëfinale i bashkohen në natën finale përfaqësuesit nga Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar apo njohur ndryshe si Pesëshja e Madhe – bashkë me vendin nikoqir, Holandën. Votimi bëhet nga secili vend pjesëmarrës, prej anës së paneleve të ekspertëve nga industria e muzikës.

Pandemia ka ndikuar që të anulohet ngjarja e vitit të kaluar dhe këtë vit këngëtarja australiane, Montaigne, nuk do të mund të fluturojë për në Rotterdam. Holanda është nikoqire e ngjarjes për shkak se vendi e kishte fituar garën më të fundit që ishte mbajtur më 2019.

Mirëpo, Montaigne do të marrë pjesë virtualisht, duke e dërguar një performancë të xhiruar drejtpërdrejt. Ajo nuk do të jetë e vetmja që do të mungojë.

Nëna e garuesit holandez, Jeangu Macrooy, nuk do të mund të marrë pjesë pasi që nuk mund të udhëtojë nga shtëpia e saj në Suriname. Babai i këngëtarit suedez do që ta dijë nëse mund të votojë për të birin nga shtëpia e tij në Kongo.

Ukraina ka pasur një moment paniku, kur këngëtares së grupit “Go_A”, Kateryna Pavlenko, i ishte dashur të mos shkonte në prova në Rotterdam, pasi ishte testuar për koronavirus sepse nuk ndihej mirë. Rezultati doli negativ dhe u rikthye në skenë.

Ajo dhe bendi i saj janë një ndër 39 pjesëmarrësit që garojnë për një fitore që mund të shërbejë si trampolinë për një karrierë globale, ose për t’i ngjitur shpejt shkallët e famës.