Bota muzikore është tronditur nga pretendimet për ngacmime dhe sjellje abuzive ndaj grave prej burrave të fuqishëm në disa prej kompanive kryesore muzikore të Britanisë.
Disa gra, përfshirë artiste dhe pjesëtare të stafit që punojnë në industrinë e milionave, kanë paraqitur akuza për abuzime të tmerrshme nga kryesorët e industrisë.
Një figurë e respektuar në këtë industri, madje, ka thënë javën e kaluar që sjellja e pahijshme e burrave në pozita të larta në industrinë e muzikës ishte 'endemike'.
Burimet pranë një prej figurave më me ndikim të muzikës në Mbretërinë e Bashkuar thonë se tashmë janë zhvilluar bisedimet për të diskutuar se si të përballen me ndikimin e një skandali të mundshëm “MeToo”, që mund të shpërthejë brenda industrisë.
Rebecca Ferguson, e cila u bë e famshme në garën muzikore “X Factor” më 2010, e ka paraqitur rastin në polici për ngacmim dhe kontroll nga një figurë e njohur e industrisë.
Ferguson, 34-vjeçare, pretendon se ishte në shënjestër gjersa punonte për ta ndërtuar karrierën muzikore.
Kurse, Lily Allen do ta përdorë albumin e saj të ardhshëm për t’ua kthyer atyre që, sipas saj, e kanë abuzuar. Titulli i secilës këngë do të jetë emri i parë i një burri brenda industrisë muzikore, i cili pretendohet se e ka keqtrajtuar.
Miqtë thonë se ky veprim i Allenit, e cila ka shkruar për një sulm të pretenduar seksual nga një figurë e industrisë gjatë një udhëtimi pune në Karaibe më 2016, është një mënyrë për ta trajtuar traumën që ka përjetuar dhe është krijuar për t'ua dërguar një mesazh burrave për sjelljet e tyre.
Ndërkohë, burime të shumta kanë cituar një incident ku përfshihet një i famshëm i martuar, i cili pretendohet ta ketë ngacmuar një anëtare të re të stafit të tij në një ndejë, pas ceremonisë “Brit Awards” më 2015, duke e detyruar atë të largohej me lot.
Pas skandaleve brenda industrive të televizionit dhe filmit, edhe industria muzikore tani po përgatitet për t’i larë hesapet me #MeToo.
Pretendimet vijnë tre vjet pasi lëvizjet “MeToo” dhe “Time's Up” ekspozuan abuzimet në Amerikë me prodhuesin e filmave Harvey Weinstein, që u zbulua se ishte përdhunues.