Showbiz

Performancat më të mira në “BRIT Awards”, Lipa shkëlqen në interpretimin e hiteve

Descriptive Text

Të martën mbrëma u mbajt ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “BRIT Awards”.

Kjo ngjarje e cila u mbajt në formatin tradicional me publik në sallë, përveç ndarjes së çmimeve, u karakterizua edhe nga interpretimet e shkëlqyeshme të yjeve në skenë.

Që të gjitha performancat ishin realizuar në formë të veçantë dhe ngjasonin në një videoklip muzikor.

Ajo që e rrëmbeu vëmendjen më të madhe ishte këngëtarja me prejardhje kosovare, Dua Lipa, e cila i interpretoi disa prej hiteve të albumit të saj të dytë muzikor, “Future Nostalgia”, incizim ky i cili edhe u vlerësua gjatë mbrëmjes me çmimin “Albumi më i mirë”.

Dua e filloi performancën në stacionin e trenit, pjesë kjo e cila ishte xhiruar para ceremonisë, duke u rikthyer pastaj në skenë për të interpretuar e vallëzuar në një tren të improvizuar në arenën O2 të Londrës.

Megjithëse ishte një interpretim tejet energjik, ku Lipa vazhdimisht ishte në lëvizje dhe duke vallëzuar, ajo megjithëkëtë arriti të sjell një vokal të mirë live sepse të performosh në këtë formë nuk është fare e lehtë.

Edhe performanca e The Weeknd konsiderohej ndër më të veçantat e mbrëmjes. Ylli kanadez i muzikës pop i cili ka qenë një nga konkurrentët më të fortë të Dua Lipës në pothuajse të gjitha garat për album dhe këngë, pasi që albumi i tij “After Hours” shënoi pritje jashtëzakonisht të mirë anembanë botës dhe u lansua pothuajse në të njëjtën kohë me “Future Nostalgia”, në “BRIT Awards” kishte zgjedhur ta interpretojë hitin “Save Your Tears”. Performanca ishte xhiruar në një lokacion tjetër dhe më pas u transmetua për publikun e pranishëm në sallë dhe ata që po e ndiqnin ceremoninë nga shtëpia.

Olvia Rodrigo e shënoi debutimin e saj në skenën britanike të muzikës dhe ajo nuk i zhgënjeu fansat e saj anembanë botës, të cilët e shndërruan atë në një superyll brenda natës. Rodrigo e interpretoi me shumë emocion dhe në formë të përkryer vokale, hitin e saj “Drivers License”. Gjatë mbrëmjes së martë, këngëtares simpatike amerikane iu plotësua edhe dëshira e saj e fëmijërisë, pasi arriti të takohet e të kalojë kohë me idhullin e saj, yllin e muzikës pop Taylor Swift.

Performancë me mesazh të rëndësishëm konsiderohej ajo e dyshes, Elton John dhe Olly Alexander. Ata e interpretuan një cover të këngës “It’s A Sin” nga grupi “Pet Shop Boys”, dhe e cila e kishte inspiruar krijimin e serialit televiziv me të njëjtin emër i cili prek tema tabu, si homofobia, racizmi dhe kriza me shpërndarjen e sëmundjes vdekjeprurëse SIDA në vitet ‘80. Olly Alexander shkëlqeu me performancën e tij teksa në piano shoqërohej nga idhulli i tij dhe ikona e muzikës, Elton John.

Një dyshe tjetër e cila e solli një performancë fantastike ishte ajo mes artistëve Rag’N’Bone Man dhe Pink. Artistët ishin kombinuar në skenë, njëri prezent live ndërsa Pink u prezantua në formatin virtual. Siç duke këngëtarja nuk kishte arritur të udhëtojë drejt Britanisë së Madhe enkas për këtë ngjarje, andaj gjatë interpretimit të këngës “Anywhere Away From Here” ajo shfaqej në një ekran të madh prapa artistit Rag’N’Bone Man, i cili në skenës shoqërohej edhe nga një numër i anëtarëve të korit. Një interpretim shumë emocional dhe i fuqishëm në të njëjtën kohë, por kjo nuk është për t’u çuditur marrë parasysh se që të dy këngëtarët, Pink dhe Rag’N’Bone Man, shquhen për zërat e tyre të veçantë.

Ndërsa mbrëmja nuk kishte si të fillonte ndryshe, veçse me shumë ngjyra, energji e pozitivitet të siguruar nga grupi “Coldplay”. Rok bendi i njohur britanik e dha një performancë të veçantë nga skena e improvizuar e cila lundronte në lumin “Thames” të Londrës, që gjendet afër arenës O2 ku po mbahej ceremonia. “Coldplay” e interpretoi live këngën e tyre të re me titull “Higher Power”.