Showbiz

Cruise kthen prapa çmimet “Globi i Artë”, “NBC” e anulon transmetimin e ceremonisë

Descriptive Text

Aktori 58-vjeçar, Tom Cruise, i ka kthyer tri shpërblimet e tij “Globi i Artë” në zyrat e Shoqatës së Gazetarëve të Huaj në Hollywood, pas kritikave që kjo organizatë i ka marrë për mungesë të diversitetit tek anëtarët që i votojnë këto çmime.

Sipas burimeve të cituara nga portal “Deadline”, ylli kinematografisë Cruise i ka kthyer trofetë e fituara në kategorinë “Aktori më i mirë”, për rolet në filmat “Jerry Maguire”, “Born on the Fourth of July” dhe “Magnolia”.

Menjëherë pas këtij lajmi u bë e ditur që edhe televizioni “NBC” i ka anuluar planet për ta transmetuar edicionin e ardhshëm të ceremonisë “Globi i Artë”.

Shoqata e Gazetarëve të Huaj në Hollywood së fundmi ka pranuar kritika të ashpra për mungesë të diversitetit ndër anëtarët e saj, dhe në përpjekje për t’i evituar dëmet më të mëdha kjo organizatë ka premtuar se do të zbatojë ndryshime transformuese sa më shpejtë që është e mundur.

“Pavarësisht nga data e ardhshme e transmetimit të ceremonisë ‘Globi i Artë’, zbatimi sa më i shpejtë i ndryshimeve transformuese mbetet përparësia kryesore për organizatën tonë. Ne i ftojmë partnerët tanë në industri që të na bashkohen për të punuar në reformën sistematike e cila ka kohë që është vonuar, si në organizatën tonë ashtu edhe brenda industrisë së filmit në përgjithësi”, shkruhej në komunikatën për media të lëshuar nga organizatorët e ceremonisë glamuroze.

Plani është që organizata t’i pranojë 20 anëtarë të ri deri në gusht të këtij viti, secili me autoritet për të votuar, derisa numri i anëtarëve pritet të shtohet për 50 për qind, Brenda 18 muajve të ardhshëm.

Për më tepër, një bord i llogaridhënies dhe mbikëqyrjes do të krijohet me anëtarë të jashtëm.

Deklarata gjithashtu konfirmoi se organizata do të konsultohet me studiot dhe publicistët në lidhje me një kod të ri të sjelljes, të vendosur për t’u zbuluar gjatë javës, ndërsa do ta krijojë një linjë të veçantë përmes së cilës do t’iu përgjigjen çdo shkeljeje të mundshme.

Së fundmi u zbulua se Shoqata e Gazetarëve të Huaj në Hollywood përbëhej nga 87 gazetarë, ku asnjëri nuk i takon komunitetit Afrikano-Amerikan.

Në rregulloren e re do të ketë gjithashtu trajnime për ngacmime seksuale për të gjithë anëtarët, si dhe politika të reja mbi “dhuratat, udhëtimet, konfliktet e interesit dhe konferencat për shtyp”.

Së fundmi edhe aktorja e njohur hollywoodiane, Scarlett Johansson, reagoi ashpër ndaj kësaj organizate duke e akuzuar për ngacmim seksual.

“Si një aktor që promovon një film, nga pritet të marrim pjesë në sezonin e çmimeve, të jemi pjesë e konferencave të shtypit si dhe të jemi prezent në ceremonitë shpërblyese. Në të kaluarën, kjo shpesh ka nënkuptuar përballjen me pyetje dhe vërejtje seksiste nga disa anëtarë të shoqatës, që kufizoheshin me ngacmimet seksuale. Kjo ishte arsyeja kryesore pse unë, për shumë vite, refuzova të merrja pjesë në konferencat e tyre,” kishte deklaruar Johansson, një aktore e nominuar pesë here për çmim “Globi i Artë”.