Këngëtarja e grupit të njohur muzikor “Little Mix”, Leigh-Anne Pinnock, është në pritje të fëmijës së parë me të fejuarin, Andre Gray, dhe së fundmi deklaroi që mezi pret ta sjellë në jetë foshnjën.
Krahas disa fotografive të postuara në Instagram ku e shfaqë barkun e fryrë, Leigh-Anne shkroi: “Ne e kemi ëndërruar këtë moment për një kohë shumë të gjatë, dhe ëndrra jonë më në fund po realizohet. Mezi presim të të takojmë”.
Ylli 29-vjeçar i muzikë pop së fundmi e lavdëroi partnerin e saj futbollist, duke e quajtur përkrahësin më të madh në jetë si dhe e pranoi se e vlerëson qëndrimin e tij ndaj çështjeve racore si diçka tejet frymëzuese.
Pinnock gjithashtu dëshiron të jetë model për vajzat e reja zezake.
“Nuk është e lehtë të ndihesh e padukshme dhe e neglizhuar. U desh të vinte kjo kohë kur unë e shoh racën si fuqinë time më të madhe. Dhe ashtu është. Të qenit person me ngjyrë është fuqia ime. Prandaj dua që vajzat e reja zezake në të gjithë botën ta shohin këtë. Një nga arsyet që nuk doja të flisja për racizmin ishte sepse kisha shumë frikë t’i ofendoja tifozët e ‘Little Mix’ dhe ta humbja përkrahjen e tyre. Por, përfundimisht e kuptova që kjo çështje nuk ka të bëjë me mua. Arsyeja që unë jam këtu, në këtë pozitë, është që të flas dhe veprojë për të bërë ndryshim”, citohet të ketë thënë këngëtarja.
Leigh-Anne Pinnock dhe Andre Gray u fejuan në maj të vitit të kaluar, pas një lidhje pesë vjeçare. Këngëtarja në të kaluarën ka treguar se çifti mezi po pret të martohet, por planet rreth dasmës kanë mbetur paksa pezull shkaku i angazhimeve të mëdha si pjesë e grupit “Little Mix”.
Grupi i përbërë nga tri vajza, Jade Thirlwall, Perrie Edwards dhe Leigh-Anne Pinnock, gjatë karrierës i ka realizuar gjithsej gjashtë albume të incizuara në studio, si dhe shquhet për disa hite, si “Secret Love Song”, “Touch”, “Little Me”, “Wings”, “DNA”, “Black Magic” dhe të tjerë, kurse para katër ditësh ato e publikuan këngën e re me titull “Conffeti” në bashkëpunim me reperen Saweetie. Anëtarja e katërt e grupit, Jesy Nelson, u largua nga “Little Mix” në dhjetor të vitit 2020 për shkak të shqetësimeve rreth shëndetit të saj mendor.