Showbiz

Britney Spears do t’i drejtohet personalisht gjykatës në seancën e radhës dëgjimore

Foto: AP/Associated Press

Në muajin qershor, Britney Spears do t’i drejtohet personalisht gjykatës së Los Angelesit, në seancën gjyqësore të caktuar për rastin e vazhdueshëm rreth kujdestarisë ligjore.

Sipas mediave të huaja, një gjykatës e ka pranuar kërkesën e ekipit ligjor të Spearsit për ta caktuar një seancë dëgjimore për 23 qershor.

Këngëtarja e famshme e muzikës pop rrallë herë i ndjekë seancat gjyqësore, dhe asnjëherë nuk pranon të komentojë publikisht rreth betejës për kujdestari ligjore, e cila po vazhdon tash e sa vjet dhesë fundmi ishte temë diskutimi në dokumentarin e shumë komentuar, “Framing Britney Spears”.

Në muajin mars, avokati i yllit 39-vjeçar e paraqiti një kërkesë në gjykatë duke kërkuar që babai i saj, Jamie Spears, të jepte dorëheqje nga roli i kujdestarit ligjorë. Ekipi ligjor i këngëtares dëshiron që menaxheri i saj, Jodi Montgomery, ta merr përsipër këtë detyrë.

James Spears ka më shumë se një dekadë që e mbikëqyrë jetën dhe karrierën e Britneyt, si dhe i ka marrë të gjitha vendimet financiare dhe shëndetësore për të bijën. Ai vazhdon t’i mohoje të gjitha akuzat kundër tij duke treguar se një herë në vit është i detyruar ta arsyetojë në gjykatë, çdo cent të harxhuar nga pasuria e vajzës së tij, prandaj është e pamundur të vjedhë nga ajo. Ai po ashtu deklaroi se e do shumë të bijën, por vazhdon të jetë i brengosur për shëndetin e saj mendorë.

Interesimi i publikut rreth çështjes së kujdestarisë ligjore të këngëtares, është shtuar dukshëm pas lansimit të dokumentarit “Framing Britney Spears”, në shkurt të këtij viti.

Spears pati deklaruar se ka qarë dy javë rresht pasi e ka parë këtë projekt, derisa artistë të shumtë e kanë mbështetur publikisht këngëtaren dhe lëvizjen #FreeBritney e cila u krijua nga një grup i vogël por shumë i zhurmshëm i fansave të princeshës së muzikës pop.

“Unë gjithmonë jam gjykuar shumë, jam fyer dhe jam turpëruar nga mediat, por vazhdoj të jem ende këtu. Ndërsa bota vazhdon të rrotullohet dhe jeta vazhdon tutje, ne sërish mbesim njerëz të brishtë dhe të ndjeshëm!!! Kam qarë për dy javë rresht dhe në fakt ende vazhdoj të qaj herë pas here. Por, e bëjë atë që mundem shpirtërisht për vetveten në mënyrë që ta ruaj gëzimin, dashurinë dhe lumturinë time”, kishte deklaruar Speras.

Një tjetër dokumentar i prodhuar nga BBC-ja që fokusohet në jetën dhe karrierën e këngëtares problematike, pritet të lansohet gjatë muajit maj.