Showbiz

Fansat po e presin me padurim albumin e ri të këngëtares Billie Eilish

Descriptive Text

Billie Eilish besohet se e ka paralajmëruar lansimin e muzikës së re.

Këngëtarja e njohur dhe shumë e dashur për publikun e ka ndarë një fotografi me ndjekësit e saj në Instagram, ku shfaqet me stilin e ri të flokëve dhe duke buzëqeshur lehtë.

Eilisht e ka shfrytëzuar këtë rast për ta paralajmëruar lansimin e materialeve të reja dhe kështu foton e ka shoqëruar me mbishkrimin “Disa gjëra po vijnë”.

Dhe pavarësisht faktit se nuk ka ndarë më shumë detaje rreth asaj se për çfarë bëhet fjalë, kjo ka mjaftuar që fansat e këngëtares menjëherë të spekulojnë se po e paralajmëron albumin e ri muzikor.

Albumi i dytë i incizuar në studio i Eilishit vjen pas atij të vitit 2019, “When We All Fall Asleep, Where Do We Go?”, dhe së fundmi këngëtarja ka bërë të ditur se koha e lirë si rrjedhojë e karantinës, ia ka mundësuar të kthehet në studio incizuese dhe të krijojë këngë të reja.

“Nuk mendoj se do ta realizoja të njëjtin album, apo çfarëdo albumi, po të mos ishte pandemia e COVID-19. Kjo nuk nënkupton se ky incizim flet për koronavirusin, por kur gjërat në jetën tënde janë më ndryshe, edhe t’i ndryshon si njeri dhe si rezultat krijon këngë tjera nga ato që je mësuar. Thjeshtë kështu funksionojnë gjërat për çdo tekstshkrues”, citohet të ketë thënë Eilish në një intervistë me prezantuesin Stephen Colbert.

Në muajin shkurt, ajo gjithashtu tregoi se albumi i ardhshëm do t’i përfshijë rreth 16 këngë të reja.

Billie Eilish është një këngëtare shumë e dashur për publikun mbarë botëror, e cila famën e arriti me shpejtësi marramendëse dhe të papritur, falë stilit unik dhe talentit të jashtëzakonshëm në muzikë. Kështu, pothuajse brenda natës, Eilish u shndërrua në një prej artisteve më të dëgjuara nga fansat, dhe më të ndjekura nga paparacit. Pavarësisht sa shumë nga shpirti i saj dhe eksperiencat intime i ndanë me publikun e gjerë përmes muzikës, sërish çdo gjë që ajo e bënë merr vëmendje të madhe nga mediat.

Para pak javësh Eilish e publikoi dokumentarin “The World’s A Little Blurry”, në platformën digjitale “Apple TV+”, i cili e shpalosi rrugëtimin e saj drejt famës.

Ndërkaq kënga e fundit e lansuar nga këngëtarja e mban titullin “Lo Vas A Olvidar”, dhe vjen në bashkëpunim me yllin e muzikës latine, Rosalia.