Showbiz

Princi Harry rikthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Foto: AP/Associated Press

Princi Harry është rikthyer në Kaliforninë e ngrohtë dhe me diell, pas kalimit të një jave në Britani të Madhe ku shkoi për ta ndjekur funeralin e gjyshit të tij, Prince Phillip.

36-vjeçari Harry udhëtoi drejt Los Angelesit me linjën e aeroplanëve “American Airlines”, të martën mbrëma, ku po e priste shoferi personal i cili e dërgoi drejt nga aeroporti për në shtëpinë e tij në Montecito.

Rikthimi i dukës së Sussexit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënkupton se ai nuk do të jetë prezent në ditëlindjen e gjyshes së tij, Mbretëreshës Elizabeth II, e cila sot i mbush 95-vjet.

Princi i cili aktualisht nuk i gëzon raportet më të mira me familjen e tij mbretërore, siç duket ka vlerësuar se është më e rëndësishme të rikthehet në shtëpi tek gruaja shtatzënë, Meghan Markle dhe djali i tyre i vogël Archie.

Tani, Harry do të duhet të qëndrojë dhjetë ditë në karantinë, rregulla këto të rekomanduara për të gjithë udhëtarët ndërkombëtarë nga Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Vizita në Britani të Madhe e shënoi rikthimin e tij të parë në vendlindje në më shumë se një vit, prej se Harry hoqi dorë nga angazhimet zyrtare si anëtarë i familjes mbretërore. Atje ai e pranoi një pritje të ftohtë dhe u injorua dukshëm nga anëtarët e tjerë të familjes, përfshirë babanë e tij dhe mbretin e ardhshëm të Anglisë, Princi Charles.

Përçarjet në familjen mbretërore erdhën pasi në intervistën e tij të fundit me prezantuesen, Oprah Winfrey, princi deklaroi se ndihej i bllokuar nga familja të cilën njëkohësisht e akuzoi se ishte paragjykuese ndaj gruas së tij biracore dhe djalit të tyre Archie.

{gallery}