Maren Morris ishte ndër fitueset kryesore të ceremonisë së sivjetme “Academy of Country Music Awards”, duke i rrëmbyer dy shpërblime.
Këngëtarja 31-vjeçare ishte nominuar në gjithsej gjashtë kategori të ceremonisë e cila u mbajt të dielën mbrëma në Nashville, por arriti ta rrëmbejë çmimin “Artistja më e mirë e vitit” për të dytin vit me radhë, dhe hiti i saj “The Bones” u shpall “Kënga më e mirë e vitit”.
Artistët Carly Pearce dhe Lee Brice gjithashtu i rrëmbyen nga dy shpërblime, me bashkëpunimin e tyre mjaft të suksesshëm “I Hope You’re Happy Now”.
Gjatë mbrëmjes së mbushur me muzikë e performance të shumta nga disa prej emrave më të shquar të muzikës country, Luke Bryan, arriti të nderohet me çmimin “Artisti më i mirë i vitit” për të tretën herë në karrierën e tij. Këngëtari ishte planifikuar të peformojë në ceremoninë e së dielës, por është detyruar ta anulojë pjesëmarrjen pasi ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Me shpërblimin “Videoklipi më i mirë” sivjet u nderua këngëtari Kane Brown, me hitin “Worldwide Beautiful”, kurse Thomas Rhett arriti ta mund konkurrencën e përbërë nga idhujt e tij, Dierks Bentley, Eric Church, Luke Combs dhe Chris Stapleton, duke u emëruar “Artisti më i mirë i vitit”.
Chris Stapleton i cili po ashtu ishte ndër artistët më të nominuar gjatë mbrëmjes, me gjashtë sosh, arriti të triumfojë në vetëm një kategori atë “Albumi më i mirë i vitit”, i cili e nderon incizimin e tij të fundit me titull “Starting Over”.