Showbiz

Ceremonia “Oscar” këtë vit ngjason me një projekt kinematografik

Foto: AP/Associated Press

Me planin gjithnjë në zhvillim për t’i bërë shikuesit ta pëlqejnë serish ceremoninë “Oscar”, organizatorët e këtij edicioni shpresojnë ta kthejnë konceptin e shfaqjes së çmimeve në mënyrën më glamuroze që është e mundur.

Prandaj, bëhuni gati për përfundimin e një sezoni kaotik të shpërblimeve të ndikuar dukshëm nga pandemia, me mbajtjen e një ceremonie kryesisht fizike të ndarjes së çmimeve akademike, e cila zë vend në fund të këtij muaji dhe do të ngjasojë me një film të vërtetë, ndryshe nga ngjarjet virtuale që janë mbajtur gjatë vitit të fundit.

Të përkushtuar tërësisht për ta organizuar një ceremoni që duket si projekt kinematografik, Akademia e Arteve dhe Shkencave e ka prezantuar ekipin e përbërë nga yje të listës A të hollywoodit, të cilët sivjet shërbejnë si prezantues të ngjarjes më të rëndësishme në industrinë e filmit në botë.

Përmes trilerit të lansuar nga akademia, bëhet e ditur se ndër prezantuesit e mbrëmjes së 25 prillit do të jenë yjet: Angela Bassett, Halle Berry, Bong Joon Ho, Don Cheadle, Bryan Cranston, Laura Dern, Harrison Ford, Regina King, Marlee Matlin, Rita Moreno, Joaquin Phoenix, Brad Pitt, Reese Witherspoon, Renée Zellweger dhe Zendaya.

Emra tjerë të talenteve që do të jenë pjesë e këtij shou, do të bëhen të ditur gjatë ditëve në vazhdim.

Ceremonia do të zërë vend në dy lokacione, në stacionin hekurudhor “Union Station” dhe në teatrin “Dolby” në Los Angeles, si dhe një lokacion tjetër do të caktohet në Londër për t’i akomoduar të nominuarit nga të gjitha anët e botës.

Edicioni i 93-të i ngjarjes më të rëndësishme kinematografike në botë, do të mbahet më 25 prill dhe do të transmetohet live në kanalin “ABC”, dhe në më shumë se 225 shtete të botës.