Showbiz

Rag‘n’Bone Man e ka paralajmëruar bashkëpunimin me yllin e muzikës Pink

Këngëtari Rag‘n’Bone Man e ka bërë të ditur lajmin se ka bashkëpunuar me yllin e njohur të muzikës, Pink, në këngën e tij të ardhshme “Anywhere Away From Here”.

Ajo pritet të lansohet më 9 prill, dhe do të jetë pjesë e albumit të ri të këngëtarit, “Life By Misadventure”.

“Kjo këngë është reflektim i sinqertë i dëshirës për t’u zhdukur nga situatat e sikletshme. Gjithashtu flet për dobësitë me të cilat përballemi të gjithë ne. Është një nderë i veçantë për mua ta kem Pinkun në këtë projekt, dhe jam shumë i lumtur që ajo pati mundësi të jetë pjesë e këngës”, ka thënë Rag‘n’Bone Man në një deklaratë për media.

Në prononcimin e saj, këngëtarja Pink e rikujtoi kohën kur e kishte takuar për herë të parë artistin, Rag’n’Bone Man, në vitin 2017 në Evropë. Ky takim kishte ndodhur pak kohë pasi e kishte dëgjuar hitin e tij shumë të suksesshëm, “Human”.

“Deri në kohën kur e takova atë, unë tashmë kisha rënë në dashuri me zërin e tij. Dhe kur u njoftuam shumë shpejtë unë mësova se ai e kishte edhe një shpirt të bukur. Nga atëherë e dija se dëshiroja të bashkëpunoja me të në ndonjë projekt muzikor. Nuk kishte këngë më të mirë për ne që ta këndonim, se kënga ‘Anywhere Away From Here’. Jam shumë e nderuar që jam pjesë e këtij bashkëpunimi”, ka deklaruar Pink.

Para pak ditësh, këngëtari dhe tekstshkruesi 36-veçar po ashtu e lansoi këngën e re me titull, “Fall In Love Again”, që vjen pa videoklip dhe është pjesë e albumit të tij të dytë të incizuar në studio.

“Fall In Love Again” është një prej këngëve më të prekshme të artistit të shpërblyer me “BRIT Award”, emri i vërtetë i së cilit është Rory Graham. Ajo flet për sabotimin e një marrëdhënie romantike nga frika për t’u angazhuar në lidhje serioze.

Rag’n’Bone Man debutoi në skenë me albumin e vitit 2017, “Human”, i cili shënoi suksese të jashtëzakonshme në tregun muzikor.

Albumi i ri “Life By Misadventure” pritet të publikohet për gjithë adhuruesit e këngëtarit, më 7 maj të këtij viti.

Në lajme të tjera, Rag’n’Bone Man pritet ta fillojë turneun “Life By Misadventure Tour”, më 17 tetor 2021, me një koncert në qytetin e tij të lindjes Brighton, para se të vazhdojë me performancat nëpër qytete tjera si Dublin, Belfast, Leeds, Bristol, Bournemouth, Glasgow, Plymouth, Manchester, Birmingham dhe Newcastle. Turneu do të përmbyllet më 6 nëntor me koncertin e fundit në Londër.