Showbiz

Lipa flet në “CBS” mbi Kosovën dhe thjeshtësinë pavarësisht famës

 

“‘Dua’ do të thotë dashuri në gjuhën shqipe. Është vërtet interesante që e kam emrin tim të vërtetë edhe si emër arti. Kam mësuar të vlerësoj emrin tim shumë më tepër”, ka thënë ajo, duke folur rreth prejardhjes së saj kosovare. “Duke jetuar në Londër me një emër si Dua, mendoj se thjesht doja të isha si të gjithë, si çdo fëmijë tjetër”

E cilësuar si “mbretëresha e diskos gjatë karantinës”, këngëtarja Dua Lipa u bë njëra prej artisteve më të dëgjuara të vitit 2020, kur e publikoi albumin e saj të dytë “Future Nostalgia”, pikërisht në kohën kur pandemia e COVID-19 shtrëngoi botën në mbyllje totale.

“Ishte pa dyshim një moment kur po mendoja nëse ishte vendim i duhur që ta publikoja këtë album. Por kur po punoja në të, më shërbeu në të vërtetë si një formë e arratisjes”, ka thënë Lipa në një intervistë për “CBS This Morning” me prezantuesen Gayle King. “Duhej t’i besoja instinktit tim të brendshëm se albumi do të shërbente si një fije drite në errësirë dhe do t’i mbajë njerëzit në ritëm përbrenda shtëpive të tyre. Dhe mbase është saktësisht koha e përkryer për ta publikuar”, ka theksuar ajo në intervistë.