Dyshja e njohur e muzikës elektronike, “Daft Punk”, emrat e vërtetë të së cilëve janë, Thomas Bangalter dhe Guy-Manuel de Homem-Christo, përmes një videoje dramatike me titull “Epilogue”, e kanë bërë të ditur lajmin se po ndahen.
Në këtë video, dy anëtarët e grupit të njohur francez i cili konsiderohet një prej grupeve më me ndikim të dekadës së fundit, shihen në stilin e tyre të veshjes me helmetat unike në kohë duke ecur në shkretëtirë, para se njëri prej tyre të ndalojë në mes të rrugës ku edhe eksplodon, duke e lënë anëtarin tjetër të vetëm për ta vazhduar rrugëtimin e tij.
Në fund të klipit i cili zgjat tetë minuta shfaqet një imazh me datat 1993, kur “Daft Punk” është themeluar dhe 2021, viti kur bendi ka vendosur të shpërbëhet. Fansat e kanë pritur me trishtim lajmin duke thënë se do t’iu mungojë muzika e tyre, duke e vërtetuar kështu ndikimin që bendi e ka pasur tek njerëzit anembanë botës.
Një zëdhënës e ka konfirmuar ndarjen e grupit, edhe pse ende nuk dihet nëse ata do të bashkëpunojnë sërish në të ardhmen.
Gjatë karrierës së tyre, kjo dyshe ka bashkëpunuar me emra të njohur të muzikës, përfshirë këtu yjet Pharrell Williams dhe Kanye West.
“Daft Punk” e lansoi albumin e fundit në vitin 2013, me titull “Random Access Memories”. Ky incizim arriti suksese të jashtëzakonshme në tregun muzikor, si dhe pranoi kritika të mira nga ekspertët e industrisë. Në fakt, albumi u shpërblye në disa kategori të çmimeve “Grammy” në vitin 2014, duke triumfuar në kategori të tilla si, “Albumi më i mirë i vitit” dhe “Albumi më i mirë i zhanrit dance dhe elektronik”.
Por nga atëherë, dyshja e muzikës elektronike ka qëndruar larg vëmendjes së publikut, dhe pritet të shihet nëse do të vendosin të incizojnë muzikës së bashku në të ardhmen.