Showbiz

“Super Bowl” organizon koncert special për punëtorët shëndetësorë

Foto: AP/Associated Press

Miley Cyrus do të performojë për punëtorët shëndetësorë, në një koncert special që organizohet para ngjarjes “Super Bowl”.

Ylli i hitit “Malibu” i është bashkuar yjeve që do të interpretojnë në kuadër të ngjarjes “TikTok Tailgate”, e cila mbahet pak para finales së kampionatit të futbollit amerikan më 7 shkurt, dhe këngëtarja thotë se mezi pret të performojë për mysafirët e nderit në këtë koncert.

“SUPER BOWL LV!!! Do të jem atje për koncertin ‘TIKTOK TAILGATE’. Mezi pres të performoj për mysafirët e nderit të kësaj ngjarjeje, që mbahet pak para lojës së madhe… Punëtorët shëndetësorë nga Tampa dhe mbarë vendi”, ka shkruar Cyrus në Instagramin e saj.

Koncerti do të ndiqet nga 7.500 punëtorë shëndetësorë tashmë të vaksinuar, të cilët gjithashtu janë ftuar ta ndjekin finalen e kampionatit të futbollit amerikan, “Super Bowl”, në stadiumin “Raymond James” në Tampa të Floridës, në shenjë mirënjohje për punën dhe mundin e tyre në luftën kundër COVID-19.

Miley Cyrus nuk do të jetë këngëtarja e vetme e cila do të performojë për mysafirët e nderit në këtë koncert. Eric Church dhe Jazmine Sullivan tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, së bashku me këngëtaren H.E.R. e cila pritet ta peroformojë këngën, “America the Beautiful”.

Ndërsa në koncertin legjendarë “Pepsi Super Bowl Halftime Show”, të organizuar nga kompania “Pepsi”, dhe që zë vend në mes të lojës së kampionatit të futbollit amerikan, performues këtë vit do të jetë ylli kanadez i muzikës, The Weeknd.

Këngëtari i njohur për hite të shumta përfshirë këtu “Blinding Lights”, ka thënë se ndihet i nderuar dhe i lumtur që po i ndjek hapat e artistëve të mëdhenj që kanë performuar në këtë ngjarje, të tillë si Bruce Sprinsteen, Madonna, Beyonce, Bruno Mars, Jennifer Lopez dhe Shakira, Lady Gaga dhe të tjerë.

Liga Kombëtare e Futbollit në Amerikë së fundmi e bëri të ditur lajmin se në ngjarjen e sivjetme “Super Bowl” do të akomodohen vetëm 22 mijë persona, që është shifër dukshëm më e vogël se tradicionalisht, kjo për shkak të pandemisë së koronavirusit.