Showbiz

Sam Smith është duke punuar rreth albumit të katërt

Foto: AP/Associated Press

Ylli i hitit “Promises”, Sam Smith, tashmë është duke punuar rreth albumit të tij të katërt të incizuar në studio, ani pse në tetor të vitit 2020 e publikoi albumin e ri me titull “Love Goes”.

Partneri i kamotshëm i këngëtarit në shkrimin e teksteve të këngëve, Jimmy Napes, për podcastin “Straight Up” citohet të ketë thënë: “Para një dite e kemi shkruar një këngë së bashku, dhe është një prej këngëve të preferuara që i kemi realizuar ndonjëherë. Ne vazhdojmë të punojnë kështu, dhe ende ndihemi sikur po bashkëpunojmë për herë të parë. Prandaj ky është një partneritet i veçantë mes nesh”.

Duke folur me emocion për yllin e hitit, “Too Good at Goodbyes”, producenti i njohur muzikor Napes tha se padyshim, Smith e ka një prej zërave më të mirë që e ka dëgjuar ndonjëherë. Ky fakt e ka bërë edhe më të veçantë jetësimin e këngëve të cilat i ka shkruar bashkë me kantautorin britanik, edhe pse duke bërë shaka tha që Sam çdo gjë e bënë të tingëllojë bukur.

Jimmy Napes gjithashtu e pranoi se dyshja përgjatë vjetëve, i ka realizuar disa projekte muzikore të cilat kanë përfunduar të refuzuara, nga studioja incizuese e cila e menaxhon karrierën e Sam Smithit.

Derisa dashuria e humbur ka qenë temë e zakonshme në muzikën e Smithit ndër vite, ndarja e këngëtarit nga i dashuri, aktori i serisë “13 Reasons Why”, Brandon Flynn, për herë të parë e ka bërë atë të ndihet zemërthyer.