Duka dhe Dukesha e Sussexit, Harry dhe Meghan, të cilët në fillim të këtij viti hoqën dorë nga obligimet zyrtare të familjes mbretërore britanike, e kanë nënshkruar një marrëveshje ekskluzive dhe disa vjeçare me platformën e njohur Spotify.
Çifti i famshëm e ka themeluar podcastin “Archewell Audio” i cili do të transmetohet në platformën gjigante, dhe ka për qëllim ta inspirojë dhe argëtojë publiku anembanë botës.
Në një prononcim për media, Harry dhe Meghan kanë thënë se ajo që ju pëlqen më së shumti tek podcastet, është se na e kujtojnë të gjithëve të ndalemi dhe ta dëgjojmë njëri-tjetrin, dhe të krijojmë lidhje të përbashkëta pa u shpërqendruar. Çifti mbretëror mendon se me të gjitha sfidat që i ka sjell viti 2020, dëgjimi me vëmendje i rrëfimeve dhe historive të njëri-tjetrit është më se i rëndësishëm.
“Duka dhe Dukesha e Sussexit mund të jetojnë në Kaliforni, por fuqia e zërit të tyre qëndron në statusin e dyshes si qytetarë të botës. Fakti që ata e mbështesin kapacitetin e jashtëzakonshëm të podcasteve në Spotify, teksa synojnë gjithashtu ta ngrenë zërin për personat e nënpërfaqësuar, është një dëshmi e vlerësimit të tyre për potencialin e rrëfimeve audio”, citohet të ketë thënë Dawn Ostroff, zyrtari kryesor i përmbajtjes dhe reklamimit të biznesit në platofrmën Spotify.
Përdoruesit e platformës Spotify jo vetëm që do të kenë mundësi t’i dëgjojnë fjalimet e Dukës dhe Dukeshës së Sussexit, por gjithashtu do t’i dëgjojnë bisedat e krijueseve tjerë interesant, të cilët do të bëhen pjesë e kësaj iniciative.
Një episode special i këtij podcasti për festat e fundvitit, do të transmetohet në fund të muajit, derisa transmetimi i rregullt i tij do të fillojë vitin e ardhshëm.
Përveç marrëveshjes me Spotify, Harry dhe Meghan, të cilët e kanë një djalë 19 muajsh së bashku, Archie Harrison Mountbatten-Windsor, po ashtu e kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me platofrmën digjitale Netflix.