Showbiz

Gwen Stefani dhe Blake Shelton janë gati për t’u martuar

Çifti i lumtur, Gwen Stefani dhe Blake Shelton, u fejuan në tetor të këtij viti pas një lidhje pesë vjeçare, dhe disa burime të afërta thonë se ata nuk planifikojnë ta kenë një fejesë të gjatë, kjo pasi që të dy janë gati dhe të entuziazmuar për ta filluar kapitullin e ri të jetës, si burrë dhe grua.

“Kjo nuk do të jetë një fejesë e gjatë. Ekziston një arsye pse Blake ka vendosur që tani t’i propozojë martesë të dashurës së tij. Që të dy janë të gatshëm për t’u martuar”, citohet të ketë thënë një burim i afërt i çiftit për revistën “People”.

Këngëtarët e famshëm amerikan po ashtu nuk do të kenë nevojë të brengosen nëse pandemia e koronavirusit do t’ua prish planet e martesës, pasi edhe ashtu ata nuk duan të organizojnë dasmë të madhe. Sipas burimeve të cituara, çifti dëshiron ta organizojë një ceremoni martesore intime, ku të pranishëm do të jenë familjarët e ngushtë dhe miqtë e tyre të afërt.

Besohet se dasma do të mbahet në fermën e 44-vjeçarit Shelton në Oklahoma, që është edhe vendi ku ylli i muzikës country i kishte propozuar martesë 51-vjeçares Stefani.

Meqenëse Blake e ka ndërtuar një faltore në fermën e tij, për nderë të dashurisë së tyre, besohet se dyshja e famshme do të vendos të martohet pikërisht në këtë faltore, diku kah fillimi i vitit të ardhshëm.

Blake Shelton është një burrë tipik tradicional i cili i ka ndjekur të gjithë hapat e duhur, para se t’i propozonte martesë të dashurës së tij prej pesë vjetësh. Ai e kishte kontaktuar babanë e Gwen Stefanit për t’ia kërkuar dorën e vajzës së tij, si dhe në planet e fejesës është kujdesur t’i përfshijë edhe tre fëmijët e këngëtares, Kingston, Zuma dhe Apollo, të cilët i ka me ish-bashkëshortin, Gavin Rossdale.

Shelton në të kaluarën ka qenë i martuar dy herë, me të dashurën e tij të fëmijërisë, Kaynette Gern dhe me këngëtaren e muzikës country, Miranda Lambert.

Në lajme të tjera, Gwen Stefani, është rikthyer te rrënjët e vjetra të muzikës me këngën e sapolansuar, “Let Me Reintroduce Myself”, që e shënon solo projektin e parë të lansuar në katër vjetët e fundit.

Vjetëve të fundit këngëtarja ishte fokusuar më shumë në krijimin e këngëve të zhanrit country, duke i sjell disa projekte muzikore me të fejuarin e saj si, “Happy Anywhere”, “Go Ahead and Break My Heart”, “Nobody But You” dhe “You Make It Feel Like Christmas”.

Ndërkaq në fillim të këtij viti, Stefani kontribuoi edhe në albumin e këngëtares kosovaro-britanike Dua Lipa, “Club Future Nostalgia: The Remix Album”, duke u bërë pjesë e versionit remix të hitit “Physical”.