Aktori i njohur hollywoodian, Jason Momoa, ka vendosur ta befasojë një djalosh shtatë vjeçar i cili vuan nga kanceri, duke e realizuar një videolidhje me të.
Ylli i filmit “Aquaman” ra në kontakt me djaloshin e quajtur, Danny Sheehan, kjo pasi e kishte parë një klip ku ai shihet duke e hapur një dhuratë që në fakt është figura e personazhit Aquaman të bazuar në filmat “Marvel”, njëherësh lodra e tij e preferuar. Kështu aktori vendosi ta bëjë një gjest të bukur për t’ia ndrequr ditën djaloshit në fjalë, transmeton Koha.
Videoja ishte postuar në fillim të muajit, në një faqe të Facebookut ku dokumentohet beteja e Dannyt me sëmundjen ‘pineoblastoma’, që është një formë a rrallë dhe agresive e kancerit të trurit, dhe me të cilën po ballafaqohet nga viti 2017.
Momoa ishte prekur jashtë mase nga kjo video, sa që kishte vendosur ta realizojë një videolidhje me djaloshin, dhe ta kalojë ca kohë duke biseduar me të.
Në videon e bashkëbisedës së tyre të postuar në Instagram, aktori dëgjohet duke thënë: “Përshëndetje djalosh i bukur! Kam dëgjuar shumë gjëra për ty, nga të gjithë miqtë e mi. Thjeshtë doja të të telefonoja për të përshëndetur, dhe të shikoja si je me shëndet”.
Më vonë, Momoa i tregon Sheehanit gjithçka për aventurat e tij në oqean si Aquaman, dhe u betua se një ditë do ta dërgojë atë për të notuar me delfinë.
41-vjeçari Jason Momoa, po ashtu i premtoi Dannyt se do t’ia dhurojë një sfurk të personazhit të tij superhero, si dhe e ftoi në sheshin e xhirimeve të filmit “Aquaman 2”, kur ato të fillojnë vitin e ardhshëm.