Showbiz

Christopher Nolan i kënaqur me suksesin e filmit “Tenet”

Foto: Shutterstock

Ylli i kinematografisë, Christopher Nolan thotë të jetë ndarë i kënaqur me performancën e projektit, “Tenet”, në arkat filmike, por brengoset se suksesi i tij do të dërgojë mesazh të gabuar tek studio e mëdha filmike.

Filmi i fundit i regjisorit të famshëm u lansua nëpër kinematë botërore në shtator të këtij viti, pasi ishte shtyrë tri herë për shkak të pandemisë së koronavirusit, transmeton Koha. Por, pavarësisht se ka pasur performancë të mirë dhe është vlerësuar nga publiku, Nolan brengoset se ky sukses do të bëjë që shefat e mëdhenj të kinematografisë, të mos tentojnë të adaptohen dhe ta rindërtojnë industrinë e filmit.

Për gazetën “Los Angeles Times”, Nolan tha: “Studioja ‘Warner Bros.’ vendosi ta lansoj filmin ‘Tenet’ nëpër kinema, dhe jam shumë i lumtur që ai arriti t’i arkëtojë pothuajse 350 milionë dollarë, pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia. Por, brengosem se shefat prapa studiove filmike po fitojnë përshtypje të gabuar nga suksesi ynë. Pra në vend se të shikojnë ku ka performuar mirë filmi dhe si mund t’iu sigurojë kjo sa më shumë të ardhura, ata po shikojnë se ku nuk i ka përmbushur pritshmëritë, dhe kështu do të fillojnë ta shfrytëzojnë këtë gjë si arsyetim në favor të tyre. Dhe në fakt, ata do të duhej të fokusoheshin në adaptimin me situatën e re në të cilën jemi dhe të punojnë për ta rindërtuar industrinë e filmit”.

Përderisa regjisori i filmave “Inception” dhe “Dark Knight”, beson që një ditë do t’i kthehemi jetës normale, megjithatë ai i paralajmëroi njerëzit që të fillojnë të adaptohen me realitetin e ri të shkaktuar nga pandemia.

Nolan beson që shkuarja në kinema, restorante, koncerte e shumëçka tjetër, do të vazhdojë të jetë pjesë e jetës sonë të përditshme, por aktualisht, të gjithë duket të adaptohen me rregullat e reja të sigurisë dhe distancimit social.