Showbiz

Kazakistani e përvetëson frazën e Boratit për fushatë turistike

Bordi i turizmit në Kazakistan ka përvetësuar shprehjen e Boratit “very nice” (“shumë mirë”) në fushatat e reja reklamuese. Fraza është përdorur nga personazhi flimik Borat, gazetar fiksional nga Kazakistani.

Filmi i parë “Borat” kishte shkaktuar reagime të ashpra në vend dhe autoritetet kishin kërcënuar se do ta hidhnin në gjyq krijuesin e tij, Sacha Baron Cohen.

Por, bordi i turizmit në vend tashmë e ka përqafuar Boratin si mjet të përkryer për reklamim, sidomos pasi filmi i dytë i tij porsa është publikuar. Vendi ka publikuar një sërë reklamash të shkurtra që e shpërfaqin mjedisin dhe kulturën e vendit. Dhe në pamjet shoqëruese shihen njerëz tek e përdorin shprehjen e Boratit “shumë mirë”.

“Natyra e Kazakistanit është shumë e bukur. Ushqimi është shumë i shijshëm. Dhe njerëzit e tij, pa marrë parasysh se i kanë kundërshtuar shakatë e Boratit, janë më të mirët në botë”, ka bërë të ditur në një deklaratë për media Kairat Sadvakassov, zëdhënëskryetar i Turizmit në Kazakistan.

Bordit të turizmit ia kishin mbushur mendjen amerikani Dennis Keen dhe miku i tij Yermek Utemissov për ta përdorur shprehjen e Boratit.

Ata i bindën për këtë ide dhe i prodhuan reklamat, ka shkruar e përditshmja amerikane “New York Times”.

Reagimet nga përdoruesit e rrjeteve sociale kanë qenë pozitive, pasi që shumë nga ta kanë thënë se reklamat ia shtojnë fitimet filmit dhe e përçojnë një mesazh pozitiv. “Ju lumtë!

Mënyrë e mrekullueshme për ta marrë famën që ka një komedian dhe për ta kthyer në një mesazh pozitiv”, ka shkruar njëri nga përdoruesit. Vetë filmi i dytë ka pasur pritje të ndërlikuar.

Organizata joqeveritare “Kazakh American Association” e ka akuzuar filmin se ka promovuar “racizëm, diskriminim kulturor dhe ksenofobi”. Në një letër dërguar Amazonit, që i ka të drejtat për shpërndarje të filmit, grupi ka pyetur: “Pse vendi ynë i vogël përdoret si vegël për përqeshje publike?”