Showbiz

Komedia e Robert De Niros e rrëzon filmin “Tenet” nga pozita e parë në arkat filmike

Komedia e re e aktorit veteran, Robert De Niro, ku ai e portretizon një gjysh i cili hyn në luftë me nipin e tij, ka arritur ta rrëzoj filmin me buxhet të lartë, “Tenet”, nga pozita e parë në arkat filmike të Amerikës Veriore, pas pesë javësh të qëndrimit në maje të kësaj liste.

Me titull “The War with Grandpa”, filmi komik qysh në javën e parë të shfaqjes ka arritur të pozicionohet në vendin e parë të arkave filmike falë shitjes së biletave në vlerë prej 3.6 milionë dollarëve. Kështu ka bërë të ditur revista “Variety”.

I bazuar në librin për fëmijë me të njëjtin emër, filmi e rrëfen historinë e gjyshit Ed, të personifikuar në ekran nga De Niro, i cili shpërngulet të jetojë me familjen e së bijës dhe kështu detyrohet t’ia zërë dhomën e gjumit nipit të tij, Peter. Ky i fundit nuk pajtohet me idenë se duhet të flejë në kulm të shtëpisë për ta akomoduar gjyshin e moshuar, dhe kështu bashkë e shokët e tij thurin plane për ta zhvilluar një luftë të fshehtë me Edin, dhe përfundimisht fituesi e meriton dhomën e gjumit.

Në film po ashtu luajnë aktorët e njohur hollywoodian, Uma Thurman dhe Christopher Walken, transmeton Koha.

Projekti i fundit i regjisorit Christopher Nolan, “Tenet”, aktualisht renditet në pozitën e dytë të arkave filmike të Amerikës Veriore, me 2.1 milionë dollarë të arkëtuara ekstra të cilat i shtohen shumës totale të fituar deri më tani, e që e kap shifrën prej 48.3 milionë dollarëve. “Tenet” është realizuar me një buxhet marramendës të të hollave, prej 205 milionë dollarësh.

Ndërsa nga shitja e biletave nëpër kinematë botërore, deri më tani ka arritur t’i arkëtoj gjithsej 323 milionë dollarë. Ai është filmi i parë me buxhet të lartë i lansuar nëpër kinema, në kohë pandemie.

Ndërkaq, në vendin e tretë, katërt dhe pestë të arkave filmike të Amerikës Veriore gjenden filmat, “Hocus Pocus”, “The New Mutants” dhe “Unhinged”.