“Cineworld”, një prej operatorëve më të mëdhenj të kinemave në botë, do t’i mbyll sërish dyert e kinemave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Irlandës, kjo pasi studiot e mëdha filmike i kanë shtyrë lansimet e disa filmave më buxhet të lartë, të tillë si “No Time To Die”.
Kompania kinematografike “Regal” e cila i rihapi dyert për publikun në korrik të këtij viti, pas lirimit të masave të sigurisë si pasojë e COVID-19, i punëson rreth 45 mijë njerëz në 787 kinematë e saj anembanë Amerikës, Anglisë dhe Evropës Qendrore, transmeton Koha.
Lansimi i filmit të ri për agjentin James Bond, “No Time To Die” është shtyrë për në prill të vitit të ardhshëm, duke i shkatërruar shpresat për rimëkëmbjen e industrisë së filmit. Derisa rritja e rasteve me të prekurit nga koronavirusi po nxisin kufizime të reja të sigurisë, dhe kështu po e mbajnë publikun larg kinemave.
Kompania “Cineworld” e cila i menaxhon disa prej rrjeteve më të mëdha të kinemave si “Regal”, “Picturehouse”, “Cinema City” dhe “Yes Planet”, i ka shkruar letër kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson dhe Ministrit të Kulturës, Oliver Dowden, për t’i paralajmëruar se industria e filmit është në shkatërrim e sipër.
Në anën tjetër, përpjekjet e fundit për ta rikthyer publikun nëpër kinema kanë rezultuar zhgënjyese. Numri i vizitorëve këta tre muajt e fundit ka qenë shumë i vogël, derisa kinematë e vogla dhe të pavarura kanë paralajmëruar se ka gjasa të mos i mbijetojnë kësaj pandemie.
Filmi i parë me buxhet të lartë që u lansua nëpër kinematë botërore që nga rihapja e tyre është, “Tenet”, një triler ky me spiun i realizuar nga regjisori Christopher Nolan. Megjithëse arriti t’i arkëtoj rreth 250 milionë dollarë nga shitja e biletave nëpër kinema të limitura, kjo shumë nuk i arriti pritshmëritë e studios prapa realizimit të filmit, i cili është realizuar me një buxhet prej 205 milionë dollarësh.
Përfundimisht, shtyrja e filmave “No Time To Die”, “Black Widow”, “West Side Story” dhe “Fast and Furious 9”, po u jep adhuruesve të filmit shumë pak arsye për t’u rikthyer në kinema.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.