Showbiz

“Enola Holmes” filmi i ri i Netflixit me protagoniste aktoren Millie Bobby Brown

Ylli britanik i filmit, Millie Bobby Brown, e ka treguar talentin e saj si humoriste në filmin e ri të platformës digjitale Netflix, “Enola Holmes”.

Në një intervistë të fundit, aktorja ka treguar se puna në këtë projekt kinematografik ka qenë shumë më ndryshe, nga përvoja e deritanishme në Hollywood.

“Asnjëherë nuk kam pasur rastin të improvizoj në skenarin e ndonjë filmi, siç kam bërë në këtë projekt. Unë nuk jam shumë person që improvizon por në këtë film kam treguar një anë krejtësisht ndryshe të karakterit tim. Disa prej skenave humoristike të përfshira në film janë tërësisht të improvizuara, gjë që ishte mjaft emocionuese për mua”, citohet të ketë thënë aktorja.

Brown e portretizon detektiven e re të talentuar Enola Holmes, në filmin i cili bazohet në librat e autores Nancy Springer. Enola, e cila është motra e vogël e Sherlock Holmesit, është në kërkim të nënës së saj e cila është zhdukur pa lënë gjurmë. Ky mision e dërgon atë në një aventurë të re të mbushur me beteja dhe sfida, dhe në të njëjtën kohë detektivi më i njohur i botës, Sherlock, përballet me një konkurrente të papritur dhe shumë të talentuar, që është motra e tij tinejxhere.

Ylli hollywoodian Henry Cavill, i cili në film e portretizon detektivin e famshëm Sherlock Holmes, ka treguar se kishte vendosur të mos e lexojë librin mbi të cilin është bazuar filmi, për t’u përgatitur për rolin e tij dhe në vend të kësaj ka vendosur të mbështetet tërësisht në udhëzimet e regjisorit, Harry Bradbeer.

Aktorja Helena Bonham Carter tha se regjisori Bradbeer e ka krijuar një ambient të sigurt dhe informativ të punës, ku të gjithë aktorët janë ndier të guximshëm për të improvizuar me skenarin e filmit. Ndërkaq në këtë projekt luan edhe aktori Sam Claflin, i cili vjen në rolin e vëllait të madh të familjes Holmes, Mycroft.

Ylli i serisë “Stranger Things”, Millie Bobby Brown, po ashtu shërben në rolin e producentes së filmit dhe thotë se shpreson që do të vazhdoj ta rrëfejë historinë e Enolas, edhe në filma të tjerë, transmeton Koha.

“Enola Holmes” tashmë ka filluar së shfaquri në platformën Netflix, ku edhe është mirëpritur nga fansat.