Showbiz

Kylie Minogue do ta lansojë këngën e re “Magic” të enjten

Pop ylli i njohur australian, Kylie Minogue, ka bërë të ditur se të enjten më 24 shtator do ta publikojë videoprojektin e ri muzikor me titull, “Magic”. Kënga është pjesë e albumit të ardhshëm të këngëtares, “Disco”, dhe vjen një muaj pasi Minogue e lansoi këngën e parë të këtij incizimi, “Say Something”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ylli australian i muzikës ka deklaruar: “Jam shumë e emocionuar. Më në fund mund ta paralajmëroj lansimin e këngës sime të re të titulluar #MAGIC, e cila vjen këtë të enjte!”

Albumi “Disco” lansohet më 6 nëntor të këtij viti dhe e rikthen këngëtaren në rrënjët e para të karrierës. Ky incizim vjen pas albumit të saj të fundit të lansuar në vitin 2018, “Golden”, transmeton Koha.

Sipas një burimi të afërt, bëhet e ditur se Kylie ka punuar intensivisht në muzikën e saj të re, dhe këta muajt e fundit gjithçka është finalizuar me sukses. Për realizimin e “Disco” ajo ka punuar me producentin e njohur, Mousse T, DJ italian Alex Gaudino dhe producentin francez të këngëtares Madonna, Mirwais.

Në muajin maj, ylli i hitit “In Your Eyes” e kishte bërë të ditur lajmin se albumi i saj i shumëpritur, do të përfshinte këngë të zhanrit ‘disco’.

Së fundmi ky zhanër është rikthyer në skenën botërore muzikore, falë edhe albumeve të artisteve të reja si, Dua Lipa dhe Doja Cat.