Showbiz

“WandaVision” seria televizive e bazuar në universin e superheronjve “Marvel”

Platforma Disney+ e ka lansuar trailerin e serisë “WandaVision”, i cili i ofron pamjet e para të projektit televiziv të bazuar në Universin Kinematik Marvel.

Universi i superheronjëve “Marvel” u ekranizua në vitin 2008 me filmin “Iron Man’, ndërsa kulminacionin e arriti më 2019 me projektin, “Avengers: Endgame’, pas realizimit të më shumë se 20 filmave të cilët lidheshin për nga historia që e trajtonin.

Këto vazhdime me buxhet të lartë arritën t’i arkëtojnë më shumë se 20 miliardë dollarë, nga shfaqja nëpër kinematë botërore.

Në filmin e parafundit “Avengers: Infinity War”, personazhi Vision përfundon i vdekur nga duart e të keqit Thanos. Sidoqoftë, në trailerin e serisë së re aktori Paul Bettany, i cili e portretizon superheroin Vision, rikthehet në ekran krahas të dashurës së tij me superfuqi të jashtëzakonshme, Scarlet Witch, dhe e cila portretizohet nga aktorja Elizabeth Olsen.

Dy personazhet e dashura për publikun, duket sikur janë ngujuar brenda një shou televiziv dhe paraqiten në një larmi stilesh, duke filluar nga seritë e viteve ‘50 e deri tek programet e kohëve moderne, transmeton Koha.

Ky shou duket se e nderon versionin e librave komik të Wanda Maximoffit, ndryshe e njohur si Scarlet Witch, e cila kur është e stresuar dhe nën presion mund t’i krijojë realitetet e veta.

Seria “WandaVision” do të lansohet në platformën Disney+ gjatë muajit dhjetor.