Showbiz

Bill Murray sot feston ditëlindjen e 70-të

Aktori dhe komediani i njohur, Bill Murray, të hënën më 21 shtator e shënoi ditëlindjen e 70-të.

I lindur në vitin 1950 në Wilmette të Illinoisit, Murray më së miri njihet për portretizimin e Dr. Peter Venkman në dy filmat e parë, “Ghostbusters”, transmeton Koha. Krahas tij në këtë projekt shumë të suksesshëm kinematografik kanë luajtur edhe aktorët e tjerë yje: Dan Aykroyd, Harold Ramis dhe Ernie Hudson.

Në vitin 1985, Murray ishte nominuar për çmim “Globi i Artë” në kategorinë “Aktori më i mirë” për këtë rol, por nuk arriti të triumfojë. Tek në viti 2004 ai u shpërblye me këtë çmim prestigjioz për rolin e tij në filmin e Sofia Coppolas “Lost in Translation”, ku ka luajtur krahas aktores së bukur hollywoodiane, Scarlett Johansson.

Zakonisht Murray punon me regjisorin e njohur amerikan, Wes Anderson. Ai ka luajtur në disa projekte të filmbërësit të shquar si, “The Life Aquatic with Steve Zissou”, “The Darjeeling Limited”, “Fantastic Mr. Fox”, “Moonrise Kingdom”, “The Grand Budapest Hotel” dhe “Isle of Dogs”.

Komediani i cili është një prej anëtarëve të parë të kastës së emisionit “Saturday Night Live”, po ashtu njihet për rolet në filmat “Caddyshack”, “Scrooged”, “Groundhog Day”, “What About Bob”, “Charlie’s Angels” dhe të tjerë.

Ai e gëzon një karrierë të jashtëzakonshme në industrinë e filmit, duke luajtur në më shumë se 70 projekte filmike. Roli i tij i fundit ishte në filmin e vitit 2019, “Zombieland: Double Tap”, ndërsa edhe tre filma të ri të aktorit janë në realizim e sipër.