Showbiz

U ndanë çmimet “Emmy” në ceremoninë e organizuar në kohë pandemie

U ndanë çmimet “Emmy” në ceremoninë e organizuar në kohë pandemie

Në kushte të reja duke iu përshtatur pandemisë së vazhdueshme të koronavirusit, të dielën mbrëma u mbajt edicioni më i ri i ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve “Emmy”, të cilat i nderojnë projektet më të mira në televizion.

E prezantuar nga Jimmy Kimmel i cili ceremoninë e hapi me fjalinë "Mirësevini në Pand-Emmy", kjo ngjarje e cila megjithëse u mbajt online arriti të realizohet me mjaft sukses, transmeton Koha. Shpërblime të shumta u ndanë gjatë mbrëmjes, ku nuk mungoi edhe glamuri i yjeve të hollywoodit, përfshirë këtu kategoritë për serinë më të mirë dramë, komedi dhe seri televizive e limituar.

Në kategorinë për dramë këtë vit triumfoi seria “Succession” e cila i rrëmbeu gjithsej 4 çmime, përfshirë çmimin kryesor të mbrëmjes, “Drama më e mirë televizive”, “Regjisori më i mirë në dramë” dhe “Aktori më i mirë në dramë”, shpërblim ky i cili shkoi për yllin, Jeremy Strong.

Befasia më e madhe e mbrëmjes doli të jetë momenti kur 24-vjeçarja, Zendaya, u shpërblye me çmimin “Aktorja më e mirë në dramë”, për rolin e jashtëzakonshëm në serinë “Euphoria”. Kështu, ajo arriti t’i mund dy favoritet për t’u shpërblyer në këtë kategori, Laura Linney dhe Jennifer Aniston, dhe u bë aktorja më e re në moshë që e fiton këtë çmim dhe aktorja e dytë zezake e shpërblyer në këtë kategori.

Tutje, për herë të parë në historinë 72-vjeçare të kësaj ceremonie, një komedi arriti të triumfoi në të gjitha kategoritë ku ishte nominuar, në të njëjtin vit. Fjala është për serinë “Schitt’s Creek” e cila i rrëmbeu gjithsej shtatë shpërblime gjatë mbrëmjes, përfshirë këtu çmimet “Seria më e mirë komedi”, “Aktorja më e mirë” që shkoi për protagonisten Catherine O’Hara, “Aktori më i mirë” të cilin e fitoi Eugene Levy, si dhe “Aktori përkatësisht aktorja më e mirë në rol dytësorë”, shpërblime këto të cilat i fituan, Daniel Levy dhe Annie Murphy.