Showbiz

Daddy Yankee nënshkruan kontratë bashkëpunimi me “Universal Music Group”

Superylli i muzikës reggaeton, Daddy Yankee, ka lansuar muzikë të re të premten më 11 shtator pas nënshkrimit të kontratës për bashkëpunim me “Universal Music Group”.

Kënga e re e artistit, aktorit dhe afaristit nga Puerto Rico, “Don Don" vjen në bashkëpunim me reperët latin, Anuel AA dhe Kendo Kaponi, si dhe është pjesë e muzikës së re dhe një projekti filmik të planifikuar me kompaninë e njohur globale të muzikës, transmeton Koha.

“Kam punuar shumë në ndërtimin e një karriere e cila i tejkalon kulturat, kufijtë dhe gjuhët, si dhe kam krijuar modele të reja biznesi të cilat kanë ndihmuar në shpërndarjen e muzikës sonë nëpër botë. Duke e bërë një prej përkushtimeve më të mëdha ndaj një artisti në historinë e muzikës latine, kompania “Universal Music” dhe Sir Lucian janë shndërruar në partnerë të cilët e vlerësojnë trashëgiminë, muzikën dhe kontributin tim. Kjo këngë e re është vetëm fillimi i shumë projekteve të ardhshme të cilat i kemi planifikuar t’i realizojmë së bashku, dhe jam i emocionuar t’ia filloj punës”, ka deklaruar Daddy Yankee.

I lindur me emrin, Ramon Luis Ayala Rodriguez, kantautori latin 43-vjeçar më së miri njihet për hitin e vitit 2004, “Gasolina”, kënga e parë e zhanrit reggaeton që ishte nominuar për çmim “Latin Grammy” në kategorinë “Kënga më e mirë”.

Yankee po ashtu ka bashkëpunuar me këngëtarin nga Puerto Rico, Luis Fonsi, në realizimin e hitit të padiskutueshëm të vitit 2017, “Despacito”, këngë kjo e cila shënoi suksese të jashtëzakonshme në toplistat muzikore anembanë botës si dhe e mban rekordin e këngës më të klikuar në Youtube.

Gjatë karrierës së tij, Daddy Yankee i ka fituar mbi 100 shpërblime muzikore, përfshirë këtu: “Latin Music Billboard Award”, “Latin Grammy”, “American Music Award”, “Latin American Music Award” dhe të tjerë.

Me më shumë se 60 milionë ndjekës në rrjetet sociale, ylli latin ka arritur t’i shes mbi 17 milionë albume anembanë botës dhe në vitin 2016 ishte emëruar artisti latin më me ndikim, nga televizioni CNN dhe revista “Time Magazine”.