Showbiz

Princi Harry do të paraqitet në dokumentarin e Netflixit

Princi Harry do të paraqitet në një dokumentar të Netflixit për Lojërat Paralimpike, ku do të flet për ndikimin pozitiv të sportit në jetët e atletëve me kufizime fizike.

Anëtari 35-vjeçar i familjes mbretërore britanike do të paraqitet në dokumentarin e quajtur “Rising Phoenix” për të cilin thuhet se do të publikohet më 26 gusht në Netflix dhe do të shfaqë “tregimin e jashtëzakonshëm të Lojërave Paralimpike”, shkruan Female First.

Harry shfaqet në këtë film dokumentar ngase në vitin 2014 i themeloi Lojërat Invictus, një ngjarje multisportive për anëtarët e ushtrisë që ishin të sëmurë, të lënduar apo të plagosur si dhe për veteranët, dhe kjo ngjarje ka karakterin e ngjashëm me lojërat Paralimpike.

Në videon e shkurtë të dokumentarit, Harry flet për fuqinë e sportit. “Nuk ka gjë në këtë botë që mund të të kthejë në jetë më shumë se sporti”, thotë ai.

Filmi i cili u krijua nga Peter Ettedgui dhe Ian Bonhote gjithashtu paraqet disa atletë përfshire vrapuesin Jonnie Peacock dhe yllin garues në karrocën e invalidëve Tatyana McFadden, në mesin e tjerëve.

“Rising Phoenix” u planifikua të publikohej në të njëjtën kohë me lojërat Olimpike dhe Paralimpike të Tokyos këtë vit, por kjo ngjarje u shty deri në vitin tjetër për shkak të pandemisë së koronavirusit.