Showbiz

“Express Summer” sjell frymën e sivjetshme të “DokuFest-it”

Magazina televizive “Express Summer” do të vazhdojë t’u japë ngjyrë mbrëmjeve tuaja gjatë verës, me transmetim nga e hëna deri të premten në orën 20:00.

Java në “Express” nis me materiale dhe intervista të cilat do të shpalosin detaje për fillimin e edicionit të 19të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër në Prizren “DokuFest”.

Cilat do të jenë të veçantat e edicionit të ri, i cili këtë vit, si asnjëherë më parë, vjen i tëri në versionin online dhe i shtrirë në tri javë? Cilat janë kategoritë konkurruese të këtij edicioni dhe sa e shtrirë është llojshmëria e programit të sivjetmë? Të rejat e përditësuara nga “DokuFesti” do t’i kuptoni edhe përmes intervistave direkte nga Prizreni, e kjo deri në përmbyllje të tij, më 25 të këtij muaji.

Organizatorët e festivalit kanë paralajmëruar se për ta sjellë festivalin ‘online’ dhe për t’u siguruar në përvojën më të mirë të një formati si ky, “DokuFesti” ka bashkëpunuar me “Festival Scope” e “Shift 72”.

Frymëzuar nga bendi britanik “Joy Division” dhe një prej këngëve të tyre ikonike, tema e këtij viti - “Transmisioni” - në shumë mënyra do të vërë në pah tranzicionin që po e përjetojmë si shoqëri. “Express Summer’” do të sjellë nga afër rrjedhën e këtij “eksperimenti”, i cili vjen si rezultat i rrethanave të pandemisë së COVID-19.

Gjatë javës do të vijnë edhe lajmet e përditshme me zhvillimet në skenën së showbizit vendor e të huaj, por edhe reportazhe e materiale të përgatitura nga autorët e emisionit nëpër rajone të ndryshme të Kosovës.

Edicioni i së martës do të sjellë edhe intervistën me këngëtaren Linda Halimi, e cila tash e sa kohë jeton në SHBA, por që së fundi është kthyer për vizitë në Kosovë.

Halimi, e cila la nam me paraqitjen e saj në emisionin e talenteve “American Idol”, do të vijë në këtë intervistë ekskluzive që prej prezantimit që i bëri Shqipërisë në edicionin e vitit 2017 të “Eurosong”, me këngën e saj “World”.