Showbiz

Xhirimet e filmit “Spider-Man 3” përfundojnë në shkurt të vitit 2021

Aktori i njohur britanik, Tom Holland, i cili e portretizon rolin e superheroit ikonik në filmat me buxhet të lartë, “Spider-Man”, e ka zbuluar përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, se tashmë i ka përfunduar xhirimet e filmit “Uncharted” dhe po planifikon t’i përfundojë xhirimet e filmit të tretë “Spider-Man” në fillim të vitit 2021.

Aktori i 24-vjeçer i cili në të kaluarën ka luajtur në filmat e suksesshëm të arkave filmike, “Spider-Man: Homecoming” dhe “Spider-Man: Far From Home”, tregoi se po planifikon që t’i promovojë te dyja projektet, “Uncharted” dhe “Spider-Man”, në të njëjtën kohë gjatë vitit të ardhshëm, transmeton Koha.

Në muajin prill, Holand e pranoi se nuk ka ide se kur mund të rifillojnë xhirimet e filmit të ardhshëm “Spider-Man”, si dhe tregoi që së bashku me vëllain e tij Harry, është duke e shkruar një skenar filmi gjatë kohës së karantinës.

Këtë eksperiencë, aktori e përshkroi si një prej gjërave më të mundimshme dhe neveritëse që i ka bërë ndonjëherë.

Dy filmat e parë “Spider’Man” të realizuar nga studio filmike, “Columbia Pictures” dhe “Marvel”, kishin arkëtuar shumta të jashtëzakonshme të të hollave.

“Spider-Man: Homecoming” ishte realizuar me një buxhet prej 175 milionë dollarëve, ndërsa nga shitja e biletave nëpër kinematë botërore i kishte fituar gjithsej 880 milionë dollarë. Filmi i dytë “Spider-Man: Far From Home” i cili nëpër kinema u lansua në korrik të vitit 2019, ishte realizuar me buxhet prej 160 milionë dollarësh ndërsa në arkat filmike botërore i arkëtoi gjithsej 1.2 miliardë dollarë.

Edhe vazhdimi i tretë i filmit shumë të dashur për publikun, pritet të shënojë suksese të ngjashme, sigurisht nëse bota i kthehet normalitetit dhe industria ringjallet me rihapjen e kinemave, si dhe filmave fillon t’i kthehet publiku.