Showbiz

Tom Cruise do t’i rifillojë xhirimet e “Mission: Impossible” në Britani të Madhe

Qeveria Britanike e ka dhënë dritën e gjelbër për vazhdimin e xhirimeve të filmave të ardhshëm “Mission: Impossible”, të cilët ishin pezulluar prej muajit mars, kur edhe shpërtheu pandemia globale e koronavirusit, transmeton Koha.

Ylli i këtyre projekteve, Tom Cruise, e ka realizuar një videolidhje me sekretarin e kulturës, Oliver Dowden, i cili ia kumtoi lajmin që filmbërësit janë të liruar nga rregullat e karantinës, si dhe ia ka shpjeguar mënyrën se si do t’u lejohet xhirimi i filmave me buxhet të lartë në studiot e kompanisë filmike “Warner Bros”, në Hertfordshire.

“Filmat më të mëdhenj të botës që përmbajnë buxhet të lartë të realizimit, si dhe disa prej serive më të njohura televizive, realizohen pikërisht këtu në Britani të Madhe. Ne duam që industria e filmit të rimëkëmbet, dhe duke e lejuar një pjesë të kontrolluar të ekipit që të largohet nga karantina, ne po e vazhdojmë përkushtimin tonë për t’i mundësuar xhirimet e këtyre projekteve në forma sa më të sigurta,” citohet të ketë thënë Dowden.

Ekipi i aktorëve dhe pjesa tjetër e personave që punojnë prapa kamerave, do të duhet të punojnë në një ambient të sigurt, por dhe të izoluar. Ata mund të lëvizin vetëm nëpër lokacionet e caktuara të xhirimit të filmit si dhe nuk kanë të drejtë të dalin në vende publike.

58-vjeçari Cruise, ditëve të fundit është spikatur duke i perfeksionuar aftësitë e tij në drejtimin e motoçikletës dhe helikopterit, në afërsi të Oxfordshire, kjo ngase po bëhet gati për t’u rikthyer në rolin e agjentit Ethan Hunt.

Simon Pegg, po ashtu e përsërit rolin e Benji Dunnit në filmat e ardhshëm me buxhet të lartë. Së fundmi ai ka deklaruar që ka shumë dëshirë të përfshihet dhe në projektin e ri filmik të yllit hollywoodian, Tom Cruise, i cili besohet se do të xhirohet në gjithsesi.