Reperi 43-vjeçar, Kanye West, përmes një postimi të fundit në Twitter e bëri të ditur lajmin se planifikon të kandidojë për president të SHBA-së, katër muaj para mbajtjes së zgjedhjeve. Dhe tani, ai e gëzon përkrahjen e plotë edhe të bashkëshortes së tij, Kim Kardashian West, transmeton Koha.
Një burim i afërt i çiftit të famshëm për revistën “Us Weekly”, citohet të ketë thënë: “Kanye ka vite që e ka planifikuar këtë kandidim dhe Kim ka kohë të gjatë që është në dijeni të aspiratave të tij, si dhe e ka mbështetur atë plotësisht. Kanyë është shumë i dhënë pas artit, kulturës dhe edukimit, prandaj dëshiron ta jap kontributin e tij në këto fusha në mënyrën më të mirë të mundshme.”
Reperi i shpërblyer 21 herë më çmim “Grammy”, e bëri publik lajmin e kandidimit të tij për president, duke e postuar një mesazh për 30 milionë ndjekësit e tij në Twitter, dhe i cili u shoqërua me reagime të ndryshme dhe dyshuese.
“Tani duhet ta përmbushim premtimin e Amerikës duke i besuar Zotit, duke unifikuar vizionin tonë dhe duke ndërtuar të ardhmen tonë. Po kandidoj për president të SHBA-së”, shkruhej në mesazhin e Westit.
Menjëherë pas këtij postimi, ylli i shout televiziv “Keeping Up with the Kardashians”, Kim Kardashian West, e cila i ka katër fëmijë me reperin, North, Saint, Chicago dhe Psalm, e ripostoi mesazhin e burrit të saj të shoqëruar me simbolin e flamurit amerikan.
Ylli i hitit “Heartless” fillimisht e kishte shprehur dëshirën për t’u kandiduar për president të shtetit në vitin 2015, kur edhe bëri të ditur se do të garoj për president në vitin 2020, por në nëntor të vitit të kaluar ai e pati shtyrë datën për në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të zënë vend në vitin 2024.
Ende nuk është bërë e ditur nëse Westi e ka paraqitur zyrtarisht kandidaturën e tij për president, por që ende ka kohë ta bëjë një gjë të tillë.