Showbiz

“Gone With The Wind” rikthehet në ekran me shumë përmirësime

Filmi “Gone With The Wind” është rikthyer në ekranet e HBO Max, së bashku me një paralajmërim që thotë se “mohon tmerret e skllavërisë”. Filmi i vitit 1939, me temë para dhe pas Luftës Civile në Shtetet e Bashkuara, ishte hequr nga shërbimi i transmetimeve në fillim të muajit qershor. Pasi e hoqi, HBO Max kishte bërë të ditur se filmi shfaqte paragjykime etnike dhe racore, që ishin gabim atëherë dhe sot. Tani është kthyer “online”, i shoqëruar me dy video në të cilat sqarohet konteksti historik i filmit.

Prezantuesja televizive dhe aktorja Jacqueline Stewart e ka vërejtur se përshkrimi i njerëzve afroamerikanë ishte kundërthënës edhe në kohën e publikimit të filmit. “Producenti David O Selznick ishte në dijeni se audienca afroamerikane po shqetësohej për mënyrën sesi filmi ka trajtuar skllavërinë dhe personazhet afroamerikane”, ka thënë Stewart. “Trajtimi i filmit për këtë botë përmes syrit të nostalgjisë mohon tmerrin e skllavërisë dhe trashëgiminë e pabarazisë racore”, ka shtuar ajo. Videoja e dytë që zgjat një orë ka një panel që debaton për trashëgiminë e komplikuar të filmit “Gone With The Wind”, transmeton KOHA.

Protestat e përhapura kundër racizmit që nisën me vdekjen e George Floydit në duart e policisë kanë shtyrë televizionet, producentët, regjisorët dhe aktorët që të rivlerësojnë se çfarë është e pranueshme në ekranet televizive. Një episod i komedisë klasike të Britanisë, “Fawlty Towers”, ishte hequr nga rrjeti i transmetimeve UKTV për shkak të përdorimit të termeve raciste. Mirëpo, planet janë që episodi të kthehet së bashku me një paralajmërim “për përmbajtje dhe gjuhë fyese”.

Edhe aktorja Jenny Slate ka bërë të ditur se më nuk do të huazojë zërin e saj për personazhin afroamerikan në serinë e animuar “Big Mouth”. Slate, që është e racës së bardhë, ka luajtur rolin e Missyt në komedinë e “Netflixit”, por ky rol do t’i jepet dikujt tjetër. “Personazhet afro-amerikane në seritë e animuara duhet të luhen nga afro-amerikanët”, ka thënë aktorja. Në një deklaratë të përbashkët, krijuesit e serisë “Big Mouth”, Nick Kroll, Andrew Goldberg, Mark Levin dhe Jennifer Flacket, kanë kërkuar falje për gabimin.

“Ndiejmë keqardhje që vendosëm një aktor të bardhë për personazhin afro-amerikan”, thuhet në deklaratën e tyre. Ata kanë konfirmuar se për rolin do të rizgjidhet një aktor afro-amerikan. Ylli i filmit “Frozen”, Krsiten Bell, ka konfirmuar se nuk do të jetë zë i roleve jo të bardha në komedinë “Central Park”. Bell ka shkruar në Instagram se roli i saj i Mollyt tregon për pakujdesinë e privilegjit të një të bardhe. “Zgjedhja e një personazhi me racë të përzier me një aktore të bardhë zbeh specifikat e përvojës së racës së përzier dhe asaj të zezë. Ishte e gabuar nga ana ime dhe ekipi i ‘Central Park’ do ta bëjë të duhurën”, ka shkruar aktorja Bell. “Këtë rol do të isha e kënaqur sikur ta merrte dikush që do të portretizonte më saktë personazhin dhe do ta bënte punën time për të mësuar më shumë për barazinë racore”.