Showbiz

Samantha Marie Ware e quajti ‘torturë’ punën me aktoren Lea Michele

Të premten e kaluar, aktorja e njohur hollywoodiane, Lea Michele, e postoi një mesazh në Twitter përmes së cilit e shprehi hidhërimin e saj rreth vdekjes së George Floydit, i cili e humbi jetën pasi një polic i vuri gjurin në fyt për nëntë minuta, gjatë kohës sa po e arrestonte atë në Minnesota.

“George Floyd nuk e meritoi këtë. Ky nuk ishte një incident i izoluar dhe dhuna e padrejtësia ndaj komunitetit afrikano-amerikan, duhet të përfundojë. #BlackLivesMatter,” kishte shkruar Michele.

Por, mesazhi përkrahës i saj nuk u mirëprit nga aktorja, Samantha Marie Ware, e cila kishte punuar me Michelen në serinë e famshme televizive “Glee”.

Të hënën ajo iu përgjigj mesazhit të ish-koleges duke shkruar: “Qesharake… A të kujtohet kur e bëre eksperiencën time të parë televizive një ferr të vërtetë?!?! Sepse unë nuk do ta harroj kurrë këtë. Besoj se u kishe thënë të gjithëve që nëse do të kishe mundësi, do të ma shkulje parukën. Kjo është vetëm një prej sjelljeve arrogante dhe traumatike të cilat i kisha përjetuar nga ti dhe që më bënë ta dyshoja një karrierë në Hollywood,” kishte shkruar Ware.

 

 

Ware në sezonin e gjashtë të serisë “Glee” e kishte portretizuar Jane Haywardin, dhe ky ishte roli i saj i parë në një projekt hollywoodian. Pas kësaj eksperience që tani del të ketë qenë mjaft sfiduese për të, ajo ka vazhduar të luaj në seri të shumta televizive përfshirë këtu edhe shoun, “What/If”, ku aktroi krahas yllit të shpërblyer me “Oscar”, Renee Zellweger, dhe që u transmetua në platformën Netflix.

Deri më tani, Lea Michele, e cila është në pritje të fëmijës së parë me bashkëshortin Zandy Reich, nuk ka reaguar ndaj mesazhit të aktores Samantha Marie Ware. Por, kjo e fundit nuk është aktorja e vetme që zbuloi se Michele ishte një kolege e keqe dhe raciste.

Edhe aktorët tjerë afrikano-amerikan të këtij projekti, Dabier Snell dhe Jeanté Godlock, reaguan ndaj hipokrizisë së Lea Micheles e cila kishte deklaruar se ndihet e indinjuar me trajtimin që u bëhet afrikano-amerikanëve në Amerikë. Ata zbuluan se aktorja nuk kishte pranuar të ulen në një tavolinë me të, si dhe i kishte quajtur buburreca të gjithë aktorët me role dytësore në seri.

Gjithë ky skandal me të cilin Lea Michele po përballet, me ç’rast po akuzohet nga ish-kolegët e saj afrikano-amerikan për trajtim të padrejtë, ka bërë që ajo t’i humbë edhe disa marrëveshje të mëdha biznesore. Një kompani të cilën aktorja po e promovonte në rrjetet sociale, ka bërë të ditur të martën se e kanë shkëputur bashkëpunimin me të, pasi i marrin shumë seriozisht akuzat e këtilla.