Modelja e famshme Kendall Jenner do të paguajë 90 mijë dollarë pasi është paditur për postimin e saj të vitit 2017 në Instagram, ku e ka promovuar festivalin famëkeq “Fyre”.
Ishin ngritur disa padi ndaj Jennerit dhe personave tjerë të famshëm që e kishin promovuar festivalin në fjalë, nga një administrues i falimentimeve që po rikuperon paratë për investuesit e vet.
Jenner 24-vjeçare kishte mohuar detyrimin lidhur me këtë padi, por është arritur një marrëveshje pas ndërmjetësimit me administruesin, Gregory Messer, në fund të vitit të kaluar.
Sipas dokumenteve të dorëzuara të martën në Gjykatën amerikane të Falimentimit në Manhattan, modelja, që ka 129 milionë ndjekës në Instagram, është paguar 250 mijë dollarë për postimin e saj për ta promovuar ngjarjen kundërthënëse që dështoi.
Ajo më vonë u pagua 25 mijë dollarë tjera nga “Fyre Media Inc.”, kompania e themeluesit të festivalit, Billy McFarland, për postimin që tash është fshirë.
Në padi Jenner është akuzuar se ka treguar mungesë të qartë të mirëbesimit në festival, pasi ka dështuar të tregojë se ajo është paguar për postimin e saj në Instagram.
Është thënë edhe se ka shpërfillur që të “informojë adhuruesit dhe përcjellësit se përfundimisht ka vendosur të mos paraqitet në Festival për shkak të problemeve me organizimin e tij, për të cilat ata dhe agjencitë e tyre qartë ishin të vetëdijshëm”.
Emily Ratajkowski, Blink-182 dhe Migos, ishin në mesin e personave tjerë të famshëm që ishin paditur në gusht të vitit 2019 në lidhje me këtë situatë.
Paditë kanë për synim të rikthejnë sa më tepër para që është e mundshme për investuesit e ngjarjes muzikore “Fyre” që ishte katastrofale, e që ishte paraqitur si një festival luksoz i muzikës i cili do të mbahej në Bahame.
Themeluesi McFarland po ashtu thuhet se ka mbledhur 26 milionë dollarë të investuara në një kampanjë virale në rrjetet sociale.
“The Wall Street Journal” ka raportuar se administruesit po kërkojnë rikthimin e qindra mijëra dollarëve që u janë paguar yjeve të ndryshëm muzikorë dhe modeleve, të cilët ishin paraparë të marrin pjesë në festivalin e prillit të vitit 2017.
Edhe bendi i muzikës rok, “Blink-182”, që ishte paraparë të ketë aktin kryeso në festival, është paditur dhe kërkohet t’i rikthejë 500 mijë dollarë.