Showbiz

Billie Eilish hijeshon ballinën e revistës “Vogue” në Amerikë

Billie Eilish po e vazhdon fillimvitin mbarë, duke u përfshirë për herë të parë në ballinën e revistës prestigjioze “Vogue” në Amerikë.

Vetëm disa javë pasi i rrëmbeu pesë shpërblime “Grammy” në disa prej kategorive kryesore të mbrëmjes, përfshirë këtu kategoritë “Kënga më e mirë” dhe “Artistja më e mirë e re”, kantautorja 18-vjeçare do të jetë ylli i numrit të ri të revistës për muajin mars, transmeton Koha.net.

Të hënën, “Vogue” i publikoi katër versione të ballinës ku përfshihej ylli i hitit “Bad Guy” e veshur me veshje të markave të njohur botërore si, Gucci, Versace, Prada Linea Rossa dhe Louis Vuitton.

Tri prej këtyre ballinave janë realizuar nga fotografë të ndryshëm, derisa ballina e katërt është krijuar në formë digjitale dhe e bazuar në vizatimin e Nastya Kovtun, një fans 16-vjeçar i këngëtares nga Russia, talenti i së cilit është spikatur pas postimit të disa vizatimeve të Eilishit në rrjetet sociale, dhe më pas është kontaktuar nga redaktorët e “Vogue” për këtë bashkëpunim.

Revista, e cila do të dal në shitje javën e ardhshme, po ashtu e përfshinë pikturën e realizuar nga artistja, Jesse Mockrin, ku Eilish shfaqet duke e mbajtur një shportë frutash në duar.

{gallery}

Ndërkaq në shkrimin i cili e përcjellë këtë ballinë, zbulohet zanafilla e stilit të veçantë të artistes Eilish, duke filluar nga fëmijëria e saj.

"Thjesht doja të shpikja diçka. Kur e mendoj veten prapa në kohë, në moshën 9 ose 10 vjeçare, më kujtohet që e kisha një stil të tmerrshëm të modës. Por ishte saktësisht ajo që doja ta vishja. Isha e përkushtuar ndaj atij stili të rrobave, i vishja ato dhe isha e lumtur,” ka deklaruar këngëtarja në intervistën e realizuar për “Vogue”.

Përveç ekspozimit të stilit të saj personal në Instagram, Eilish po ashtu ka arritur të shndërrohet në modele të modës së lartë, me parakalimet e saj mbi qilim të kuq. Në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve “AMA” në nëntor të vitit të kaluar, ajo u vesh kokë e këmbë nga marka e njohur “Burberry”, përfshirë këtu një rrjetë prej kristaleve e cila ia mbulonte fytyrën. Më pas, në ceremoninë “Grammy” të mbajtur muajin e kaluar, Eilisht u shfaq me veshje të markës “Gucci” të cilat dominoheshin nga ngjyra e zezë dhe e gjelbër e ndezur, njësoj sikurse stili i veçantë i flokëve të saj. Po ashtu, edhe këtë herë këngëtarja e kishte vënë një maskë në fytyrë dhe doreza të zeza.

Madje edhe kryeredaktorja e revistës “Vogue”, Anna Wintour, në të kaluarën e ka lavdëruar stilin e modës së Billie Eilishit.

Kjo nuk është hera e parë që këngëtarja e njohur po bashkëpunon me “Vogue”, kjo pasi vitin e kaluar ishte pjesë e ballinës së kësaj reviste në Australi.