Showbiz

JLo dhe Shakira sollën shumë ritme latine në “Super Bowl 2020”

Descriptive Text

Të dielën mbrëma u mbajt një prej ngjarjeve më të ndjekura në SHBA, finalja e Kampionatit të Futbollit Amerikan, “Super Bowl”.

Dhe si rëndom, vëmendje të madhe në këtë ngjarje marrin performancat e yjeve të muzikës. Duke filluar nga Demi Lovato, e cila e këndoi himnin shtetëror para se të fillonte loja mes ekipeve finaliste, “49ers” dhe “Chiefs”, e deri te interpretimi energjik i dy super yjeve të muzikës latine, Jennifer Lopez dhe Shakira, transmeton Koha.net.

Dy këngëtaret shënuan histori, duke u bërë yjet e para latine që ishin performueset kryesore në këtë ngjarje të rëndësishme sportive. Që të dyja, e interpretuan një kolazh të hiteve të tyre muzikore, duke sjellë shumë energji në skenë dhe të shoqëruara nga një trupë e madhe valltarësh.

“Super Bowl” u mbajt në stadiumin “Hard Rock” të Miamit, çka edhe ishte e kuptueshme pse “NFL”, i ka zgjedhur dy këngëtare latine për të performuar në qytetin e përbërë 70% nga hispanikët.

Për 12 minuta kohë, pop yjet e muzikës, Shakira dhe JLo, i interpretuan 20 këngë së bashku në mesin e së cilave ishin hitet: “She Wolf”, “Hips Don’t Lie”, “Whenever, Whatever”, “Jenny From the Block”, “Waiting for Tonight”, “Love Don’t Cost a Thing”, “Let’s Get Loud” dhe të tjerë.

Një moment tjetër special i mbrëmjes ishte, kur në skenë doli për të performuar vajza e Lopezit, Emme. Ajo e shoqëroi të ëmën në interpretimin e një kënge, ku JLo u shfaq me një pelerinë të madhe e cila në njërën anë e mbante flamurin amerikan dhe në tjetrën anë, atë të Puerto Ricos. Ky, po ashtu ishte momenti që e nderoi legjendën e ndjerë të basketbollit Kobi Bryant, i cili vdiq javën e kaluar në një aksident me helikopter, bashkë me vajzën e tij Gianna dhe shtatë persona të tjerë.

Vlerësimet e publikut rreth shout që, Lopez dhe Shakira, e sollën në finalen e “Super Bowlit” deri më tani ishin pozitive, por pritet të shihet nëse kanë arritur ta ngrisin shikueshmërinë e kësaj ngjarjeje, që çdo vit ndiqet nga qindra miliona njerëz.