Showbiz

S’ka më Diddy - gjykata miraton ndryshimin e emrit të manjatit të repit në Sean Love Combs

Descriptive Text

Sean ‘Diddy’ Combs e ka përvetësuar zyrtarisht një emër të ri. Pra është aprovuar kërkesa e tij për t'u bërë Sean Love Combs.

Manjati i repit dhe sipërmarrësi e paraqiti një peticion për ta ndryshuar emrin e tij në tetor dhe, sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Entertainment Tonight, ndryshimi është miratuar.

Emri i mëparshëm juridik i Diddyt ishte Sean John Combs, megjithëse profesionalisht ai i ka shfrytëzuar prej vitesh emrat Puff Daddy dhe P. Diddy, shkruan KOHA Ditore.

Në nëntor të vitit 2017, ai i informoi fansat në Twitter se po e merrte emrin "Love, aka, Brother Love" dhe "nuk do të "përgjigjej" në ndonjë tjetër. Ai më vonë pretendoi se deklarata ishte bërë me shaka, duke përmendur se emri "ishte vetëm një pjesë e një prej alter-egove të mia".

Ai shtoi: "Mund të më drejtoheni me cilindo nga emrat e mi të vjetër, por nëse ende dëshironi të më quani Love, mund të më quani Love. Por vetëm po luaja.”

Lajmi vjen derisa manjati i muzikës po vazhdon ta vajtojë humbjen e ish-të dashurës së tij, Kim Porter. Të mërkurën, ai shkroi në Instagram për ta postuar një dedikim të përzemërt për modelen e ndjerë, e cila është nëna e tre fëmijëve të tij.