Showbiz

Shefja e pezulluar e Akademisë së Regjistrimeve: "Kam prova të korrupsionit në Grammy"

Shefja dhe presidentja e pezulluar e Akademisë së Regjistrimeve, Deborah Dugan, ka pohuar se ka prova se kandidimet në Grammy janë korruptuar.

Dugan, udhëheqësja e parë femër e organizatës që i drejton çmimet Grammy, u pezullua javën e kaluar (19 janar), pas një pretendimi për sjellje të pahijshme, por e paraqiti një ankesë të martën në Komisionin e Shanseve të Barabarta të Punësimit (EEOC) të ShBA-së, vetëm pesë ditë përpara ceremonisë së çmimeve për vitin 2020.

Drejtuesja e showbizit, e cila ka pretenduar se këshilltari ligjor i Akademisë, Joel Katz, e ngacmoi atë seksualisht dhe zbuloi se paraardhësi i saj Neil Portnow ishte akuzuar për përdhunim, ka pohuar në një intervistë për Good Morning America, të enjten (23 janar), se kandidimet, përfshirë këtu edhe për Këngën e vitit 2019, ishin fiksuar për t’u siguruar që një artist i cili ishte në komitetin e përzgjedhjes të kandidohej, shkruan KOHA Ditore.

E këshilluar nga avokati i saj Douglas Wigdor, Dugan refuzoi ta tregojë emrin e artistit, por tha: "Nuk është vetëm ajo dhomë (që vendos për kandidimet për Këngën e vitit). Kam prova edhe për një dhomë tjetër… sepse ka pasur ankesa në kategorinë e xhazit.”

Ajo, gjithashtu, i detajoi pretendimet e saj kundër Katzit, të cilat ai i mohon fuqishëm, duke thënë: "Në fillim, në fakt, nën maskën e një darke pune, unë u propozova nga këshilltari i përgjithshëm... avokati i argëtimit me një fuqi shumë të madhe në industri duke filluar të më thërriste “zemër” dhe duke thënë se sa tërheqëse dhe e bukur isha.

"Mbrëmja vazhdoi deri në puthje, po përpiqej të më puthte dhe gjatë gjithë rrugës u ndjeva sikur po testohesha se sa do të pranoja? E kuptova se bëhej fjalë për demonstrim të fuqisë, ndërkohë që po hyja në komitet."

Wigdor, gjithashtu, foli në emër të klientit duke thënë se drejtuesit e Akademisë së Regjistrimit janë tani në "gjendje paniku", pasi që e kthyen “goditjen” duke e detajuar një ankesë se Dugani ishte abuzive dhe ngacmuese dhe se e krijoi një mjedis toksik pune.

Dugan, gjithashtu, e mbrojti vendimin e saj për të mos kërkuar menjëherë masa për pretendimet e saj, duke thënë se ajo kishte dashur ta promovonte "ndryshimin nga brenda" organizatës.

Portnow ka mohuar se ai e ka dhunuar ndonjë "artist/e të huaj regjistruese" në një deklaratë të mërkurën, duke thënë se ai ishte "shfajësuar" pas një hetimi.